Ukrainë, shpërthen depoja e municioneve: “Dhuratë” nga Putin për Poroshenkon

27/09/2017 00:00

Rreth 30 mijë vetë janë evakuuar nga një zonë qendrore e Ukrainës, pasi një depo municionesh, ku ishin magazinuar rreth 188 mijë tonë municione, u përfshi nga flakët përgjatë natës.

Në depon e armatimeve në Kalinovka, pranë Vinnytsias, magazinoheshin si predha edhe municione armësh të tjera, e pamjet e para nga vendngjarja shfaqën një lëmsh të zjarrtë mbi zonë, ndërsa një sërë predhash fluturonin në qiellin e errët të mesnatës.

Dy gra nga një fshat pranë zonës u dërguan në spital me plagë të shkaktuara nga predhat, ndërsa më shumë se 1.000 zjarrfikës dhe oficerë të Gardës Kombëtare ukrainase luftuan me flakët e zjarrit.

Ende nuk dihet sesi nisi zjarri, por mediet lokale pretendojnë se ishte një zjarrvënie e qëllimshme dhe një mision sabotimi i planifikuar me kujdes nga Rusia. Mijëra predha ndezën atë që ngjante me një ferr të jashtëzakonshëm, që fillimisht u raportua pak pas orës 22 të mbrëmjes së të martës.

Depoja është më e madhja e armatimeve në vend, ndërsa pas ngjarjes u mbyll edhe hapësira ajrore mbi qytetin Vinnitsa. Evakuime masive pati në fshatrat përreth, me raportimet që flasin për mbi 30 mijë njerëz të larguar nga shtëpitë.

Një gazetar dhe kryeredaktor i “Censor.net” pretendoi se ishte zjarrvënie e qëllimshme dhe drejtoi gishtin nga Rusia, duke thënë se “ishte një dhuratë ditëlindjeje nga Vladimir Putin, për homologun kundërshtar Petro Poroshenko, i cili mbushi 52 vjeç të martën”.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel