Leon Black sfidon Kongresin për çështjen Epstein, nuk paraqitet në seancën dëgjimore

03/09/2026 21:17

Miliarderi Leon Black, emri i të cilit është përfshirë në hetimet mbi lidhjet financiare me Jeffrey Epstein, nuk u paraqit të enjten për të dëshmuar para Kongresit Amerikan, duke rrezikuar procedura të mundshme për shpërfillje të thirrjes së Kongresit.

Bashkëthemeluesi i kompanisë së investimeve Apollo Global Management ishte një nga klientët më të rëndësishëm të Epstein. Dhoma e Përfaqësuesve po përpiqet të zbardhë natyrën e marrëdhënieve financiare mes dy burrave dhe marrëveshjet që lidhnin Black me financuesin e dënuar për krime seksuale.

Gjatë një seance të mëparshme në qershor, Black pranoi se i kishte paguar Epstein rreth 158 milionë dollarë për këshilla lidhur me taksat dhe pasurinë. Megjithatë, ai mohoi të kishte pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein dhe mohoi çdo akuzë për sulm seksual ndaj grave.

Seanca e qershorit u ndërpre pasi Black refuzoi t’u përgjigjej një sërë pyetjesh mbi marrëveshjet e moszbulimit që kishte nënshkruar me gra. Ligjvënësit e thirrën më pas sërish për të dëshmuar nën betim dhe për të dorëzuar dokumente që lidhen me këto marrëveshje.

Megjithatë, Black nuk iu bind thirrjes. Në vend të kësaj, ai ngriti një padi federale kundër kërkesave të Kongresit, duke argumentuar se hetimi nuk lidhet me mandatin e komitetit.

Avokatja e tij, Susan Estrich, tha se komiteti po zhvillon një hetim që shkon përtej kompetencave të tij dhe akuzoi ligjvënësit se po përpiqen të dëmtojnë reputacionin e klientit të saj.

Ndërkohë, më shumë se një duzinë grash që kanë deklaruar se janë sulmuar seksualisht nga Epstein i kanë bërë thirrje Black të respektojë kërkesat e Kongresit. Sipas tyre, marrëveshjet e moszbulimit mund të ndihmojnë në zbardhjen e natyrës së marrëdhënieve të tij me Epstein dhe personat e tjerë në rrethin e financierit.

“Është e trishtueshme që Leon Black preferon të fshihet pas një beteje ligjore sesa t’u përgjigjet pyetjeve të popullit amerikan”, deklaroi James Comer, kryetari republikan i komisionit, duke shtuar se do të shqyrtohen hapat e mëtejshëm.

Edhe demokrati Robert Garcia bëri thirrje për nisjen e procedurave për shpërfillje të Kongresit, duke theksuar se Black ka injoruar tashmë dy thirrje për të dëshmuar.

Top Channel