Ndotja e ajrit, OKB: Britania la në baltë njerëzit

11/09/2017 00:00

Qeveria britanike ka lënë pas dore detyrën e saj për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e qytetarëve të saj nga nivelet e jashtëligjshme dhe të rrezikshme të ndotjes së ajrit.

Ky është paralajmërimi i raportuesit special të OKB-së për të drejtat e njeriut, në lidhje me mbetjet toksike. Baskut Tuncak u ftua nga qeveria britanike për të hetuar situatën në vend, e raporti i tij është siguruar nga “The Guardian” para publikimit.

“Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem në Britani. Jam i alarmuar se, pavarësisht udhëzimeve të përsëritura ligjore, qeveria britanike vazhdon të injorojë detyrën e saj për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e qytetarëve, duke shkelur detyrimet”, shkruhet në raport.

Kjo kritikë e ashpër ndërkombëtare është mjaft e sikletshme për qeverinë britanike, planet e së cilës për ndotjen e ajrit janë konsideruar dy herë të jashtëligjshme dhe të pamjaftueshme nga gjykatat në vend.

Londra është qyteti më i ndotur, por edhe pjesa tjetër e vendit nuk po ia kalon aspak mirë. Ndërsa në Britani ashpërsohet debati për “Brexit”, raportuesi i OKB-së paralajmëron se nëse standardet e ardhshme të gjelbra të Britanisë nuk barazohen me ato të BE-së, ishulli mbrotëror rrezikon të shndërrohet në një parajsë për industritë ndotëse dhe një vendgrumbullim për produkte që nuk arrijnë standardet e BE-së.

Top Channel