Mianmar, 400 të vdekur në shtetin Rakhinë

02/09/2017 00:00

Rreth 400 vetë kanë vdekur për shkak të dhunës në shtetin Rakhinë, në Mianmar, gjatë javës së shkuar. Sipas zyrtarëve ushtarakë, pothuajse të gjithë ata që humbën jetën ishin kryengritës myslimanë.

Anëtarët e komunitetit mysliman Rohingia, megjithatë kanë raportuar për sulme në fshatrat e tyre, që kanë lënë të vdekur dhe kanë detyruar mijëra të arratisen nga shtëpitë e tyre.

Policia lokale në Bangladesh tha të premten se disa trupa u gjetën në një lumë në kufirin midis Bangladeshit dhe Mianmarit.

“21 trupat që u gjetën në bregun e lumit Naf, në zonat Kharalkhali dhe Kandorpara brenda territorit të Bangladeshit. Ata janë varrosur në një varrezë lokale, sipas një urdhri të administratës”, tha Mohammed Mohiuddin Khan, oficer në detyrë në stacionin e policisë së Teknafit.

Anëtarët e komunitetit pakicë të Rohingiave kanë raportuar sulme në fshatrat e tyre që kanë lënë të vdekur dhe kanë detyruar mijëra vetë të arratisen.

Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 38 mijë njerëz janë larguar nga Mianmari për në Bangladesh, shumica prej të cilëve myslimanë Rohingia.

Dhuna sektare midis budistëve dhe myslimanëve në Mianmar ka shpërthyer në mënyrë periodike për më shumë se një dekadë.

Qeveria e Mianmarit i ka mohuar akuzat për abuzim kundrejt pakicës Rohingia dhe ndërkohë ka kufizuar qasjen e gazetarëve dhe vizitorëve të tjerë në Rakhinë.

Top Channel