Java e terrorit në Europë

19/08/2017 00:00

Kjo javë po mbyllet nën shenjën e terrorizmi. Pas sulmit në Barcelonë, me 13 viktima dhe mbi 100 të lënduar, i takoi Finlandës dhe Rusisë të përballeshin me terrorin, me dy sulme me viktima e të plagosur, të cilat autoritetet i trajtuan si akte terroriste.

Në Spanjë vazhdon kërkimi i shoferit të furgonit që shkaktoi tmerr e panik në Las Ramblas, që për policinë, mund të jetë ende gjallë dhe në arrati, ndoshta mund të ketë kaluar edhe kufirin me Francën. Policia po kërkon marokenin, Younes Abouyaaqoub, që tani cilësohet nga media spanjolle si shoferi i dyshuar.

Sipas policisë, ishin planifikuar sulme më të sofistikuara, por shpërthimi në një shtëpi në qytetin Alcanar, i privoi agresorët nga bombat duke i detyruar të kryenin sulme më të thjeshta me makina. 22-vjeçari Abouyaaqoub jetonte në qytetin Ripoll në veri të Barcelonës. Tre persona janë arrestuar atje dhe një tjetër në Alcanar.

Pavarësisht se në Las Ramblas është rikthyer normaliteti në dukje, niveli i sigurisë mbetet i pandryshuar në të gjithë vendin, edhe pse nuk ka informacione që sugjerojnë një sulm të mundshëm.

Ndërkohë, në Finlandë policia tha se agresori që vrau dy vetë dhe plagosi 8 të tjerë, zgjidhte si shënjestra gratë dhe rasti për autoritetet është një sulm terrorist. Agresori, tashmë i arrestuar, është një 18-vjeçar maroken, ndërkohë që janë ndaluar nga policia gjatë natës edhe katër marokenë të tjerë.

Sulmi ndodhi pranë tregut Puutori në Turku në orë 16:02 minuta të orës lokale të së premtes, kur marokeni, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, kishte filluar të qëllonte me thikë kalimtarët. Deri më tani, Finlanda ishte kursyer nga sulmet terroriste.

Pothuajse i njëjti skenar edhe në Rusi, ku si pasojë e një sulmi me thikë, u plagosën 8 persona në Surgut, në qendër të vendit. Agresori u qëllua për vdekje nga policia pasi kishte sulmuar më herët kalimtarët. Autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka të vdekur dhe të lënduarve u është dhënë ndihma mjekësore, ndërkohë që emri i autorit nuk është bërë i ditur.

Gjithsesi, sulmi është marrë përsipër nga ISIS.

Top Channel