Tragjike në Angli, vdes një foshnjë e porsalindur/ Policia nis hetim për vrasje, shtatë persona në pranga
Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Pentagon, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Trump konfirmoi se më 11 Shtator do të jetë në Pentagon, duke sqaruar edhe arsyen përse nuk do të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale në Nju Jork, pranë Ground Zero.
I pyetur nga gazetarët pas kthimit nga Hjustoni, nëse do të ishte në ceremoninë në Nju Jork, Trump u përgjigj shkurt: “Jo, sepse do të shkoj në Pentagon.”
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Nju Jork, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës amerikane do të jenë të pranishëm në ceremoninë në Shanksville, Pensilvani.
Ky vit shënon 25 vjet nga sulmet e 11 Shtatorit 2001, kur militantë të al-Kaedës rrëmbyen katër avionë dhe i përdorën në sulmet që morën jetën e afro 3,000 njerëzve në Nju Jork, Pentagon dhe Shanksville.
Sulmet ndryshuan në mënyrë të thellë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Trump, i cili është me origjinë nga Nju Jorku, mori pjesë për herë të fundit në ceremoninë pranë Ground Zero në vitin 2024. Vitin e kaluar ai ishte i pranishëm në ceremoninë në Pentagon, ku mbajti një fjalim përkujtimor dhe rikujtoi disa prej momenteve dramatike të asaj dite.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump e përshkroi 11 Shtatorin si “një ditë për të kujtuar viktimat dhe familjarët e tyre të dashur”.
Edhe për Vance kjo do të jetë një rikthim në ceremoninë e Nju Jorkut. Vitin e kaluar ai kishte planifikuar të merrte pjesë atje, por udhëtoi drejt Salt Lake City për të qëndruar pranë familjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, pas vrasjes së tij.
Top Channel