Greqia forcon mbrojtjen ajrore, nënshkruan me Izraelin marrëveshja 3 miliardë euro për “Mburojën e Akilit”

31/08/2026 11:52

Greqia dhe Izraeli firmosën sot në Tel Aviv marrëveshjen për krijimin e “Mburojës së Akilit”, sistemin e ri shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore dhe kundër-raketore të Greqisë nga kërcënime të mundshme prej Turqisë dhe Iranit siç thekson e përditshmja “Jerusalem Post“ .

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, programi kap një vlerë prej më shumë se 3 miliardë eurosh dhe synon të krijojë një “kupolë” mbrojtëse kundër avionëve, dronëve, raketave balistike dhe raketave cruise. Ndryshe nga një sistem i vetëm armësh, “Mburoja e Akilit” do të bashkojë radarë, raketa dhe qendra komandimi në një rrjet të përbashkët.Në zemër të tij do të jenë disa nga sistemet më moderne izraelite.

Barak MX do të mbulojë distanca nga 35 deri në 150 kilometra, ndërsa Spyder do të përdoret kryesisht për mbrojtjen në distanca më të shkurtra në ishujt grekë, duke përfshirë destinacionet e njohura të pushimeve të vizituara nga shumë izraelitë. Për kërcënimet me rreze më të gjatë parashikohet edhe sistemi David’s Sling, i cili do të bashkëpunojë me raketat Patriot që Greqia disponon tashmë. Kompanitë greke pritet të marrin rreth 700 milionë euro nga vlera totale e marrëveshjes si nënkontraktorë për Rafael dhe IAI.

Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, bëhet fjalë për marrëveshjen më të madhe të eksportit të armëve në historinë e marrëdhënieve Izrael–Greqi. Paralelisht u firmos edhe një kontratë shtesë prej 26 milionë eurosh për sistemin Drone Dome, që do të mbrojë objekte strategjike nga sulmet me dronë.

Një rol kyç do të kenë radarët e rinj, të cilët do të identifikojnë shumë objektiva njëkohësisht dhe do të përcaktojnë shkallën e rrezikut.Sistemi do të përdorë edhe inteligjencën artificiale, për të analizuar në pak sekonda informacionet dhe për të ndihmuar në zgjedhjen e mënyrës më të shpejtë të reagimit.

Në të njëjtin rrjet do të lidhen edhe sistemet e tjera moderne të forcave të armatosura greke, nga avionët Rafale dhe F-16 Viper, deri te fregatat Belharra dhe sistemet raketore.Athina synon që projekti të jetë plotësisht funksional brenda rreth tre vjetësh.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes është edhe pjesëmarrja e industrisë greke të mbrojtjes. Të paktën 25%  e programit do të realizohet me pjesëmarrje greke, përmes prodhimit, bashkëpunimit me kompanitë izraelite dhe transferimit të teknologjisë.

“Mburoja e Akilit” është një nga programet më të mëdha të armatimit të Greqisë, me synimin për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit.Greqia është bërë tashmë një kliente e madhe e industrisë mbrojtëse të Izraelit, duke blerë raketa Spike dhe bomba me precizion të lartë SPICE nga Rafael, raketa Rampage nga Elbit Systems dhe IAI, si dhe dronë Heron 2 nga IAI.

Marrëveshja e mbrojtjes ajrore pritet të forcojë më tej partneritetin strategjik midis dy vendeve, me Izraelin që luan një rol kyç në ndihmën për mbrojtjen e hapësirës ajrore greke. Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë forcuar koordinimin e tyre të sigurisë në vitet e fundit, mes tensioneve në rritje me Turqinë.

Top Channel