Humbja e thellë e partisë Demokratike nuk u pasua me dorëheqjen e kryetarit Lulzim Basha. Ai vendosi të zgjedhë një rrugë të mesme.
“Me efekt të menjëhershëm kam vendosur të ngrij të gjitha funksionet e mija organizative, si Kryetar i Partisë Demokratike dhe t’ua delegoj ato, dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për të organizuar me fuqi të plotë vendim-marrëse, garën për kryetarin e Partisë Demokratike, sipas parimit një anëtar një votë”, tha Basha.
Vendimi i Lulzim Bashës për ngrirjen e funksioneve të kryetarit, nuk parashikohet në statusin e partisë Demokratike, ku përcaktohet si koncept vetëm dorëheqja apo shkarkimi. Basha e mori këtë vendim pasi në analizën e tij, shit-blerja e votës ishte shkaku kryesor i humbjes së partisë Demokratike.
“Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën. Kjo ishte një garë e pabarabartë. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, është triumf i paligjshmërisë. Me të vërtetë unë dhe Partia Demokratike morëm një rezultat zhgënjyes, por ndonëse siç e dimë të gjithë, shumë shqiptarë kanë qenë nën ofertë për ta këmbyer votën e tyre me para, megjithatë mbi 450 mijë qytetarë refuzuan, dhe vendosën të ecin përpara me dinjitet”, tha kreu i PD-së.
Në emër të këtyre qytetarëve, Lulzim Basha tha se nuk do të dorëzohej dhe se vota e tyre ishte arsyeja përse ai do të garojë sërish. Dhe mesa duket, përballja mes demokratëve do të jetë e forte.
“Kam reflektuar thellë këto tre ditë. Unë marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Tani demokratët dhe shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafaqim të hapur e të vërtetë, mes atyre që punuan me mish dhe me shpirt për fitoren e Partisë Demokratike dhe atyre që u ngritën kundër sapo humbën kolltuqet. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike. Këtë do ta përcaktojnë demokratët.
“Duke ruajtur pozicionin e kryetarit, por pa funksionet dhe privilegjet e postit, në një garë që do të mbikqyret nga Paloka, Spaho dhe Ristani, Lulzim Basha foli edhe për standardet e garës.
“Unë kam një projekt dhe projektin tim do ta debatojnë dhe vlerësojnë demokratët në një debat dhe garë të hapur, të ndershme e të barabartë. Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha, por unë e di se çfarë ka ndodhur dhe jam i vendosur të mbaj përgjegjësi. Jo duke ikur, jo duke braktisur demokratët dhe qindra mijë shqiptarë, por duke luftuar deri në fund, për ta dhe me ta”, u shpreh Lulzim Basha.
Top Channel