Ndonëse në rendin e ditës së Kuvendit janë 20 pika për diskutim, fokusi ishte tek 7 interpelancat e kërkuara me kryeministrin Edi Rama nga 7 deputetët: Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Ben Blushi, të cilët shprehën publikisht shqetësimin për shtyrjen me afate të panjohura të çeljes së negociatave për anëtarësim.
“Nuk është fiksuar një datë për hapjen e negociatave, edhe pse qeveria e kishte premtuar këtë. Kjo shtyrje nuk do e favorizojë Shqipërinë, jo vetëm për imazhin e vendit, por për klimën politike. Sot nuk ka më asnjë alibi dhe asnjë pretendim se ka qenë Evropa ajo që nuk na ka pranuar. Evropa paragjykon krimin, korrupsionin dhe padrejtësinë, jo shqiptarët. Kundërshtarët më të mëdhenj të integrimit të Shqipërisë në BE janë politikanët”, tha Blushi në prezantimin e interpelancës.
Kreu i qeverisë, Edi Rama u përgjigj duke thënë se ata që kanë kërkuar interpelancën urgjente, nuk kanë aspak dijeni për çështjen.
“Këta deputetë nuk kanë aspak dijeni për procesin e integrimit. E them sepse në kërkesën për interpelancë thuhet se Këshilli i Ministrave të BE-së nuk vendosi datë për hapjen e negociatave për mospërmbushjen e 5 kritereve. Kjo tregon paditurinë e grupkërkuesve të interpelancës pasi askush nuk priste një datë nga KE-ja. Kushti i vetëm që na është vënë është zbatimi i vetting-ut. Pa nisur zbatimi i vetting-ut, nuk ka datë për negociata. Çfarë date duan këta deputetë? Këta “të vegjëlit” kanë ardhur të bëjnë garë me të “madhin” Sali se kush nxjerr sa më shumë mllef. Këta lidhin datën pastaj me 5 kriteret, që është keqkuptim shumë i madh. 5 prioritetet kyçe nuk janë kushte, por kritere që askush nuk pret të përmbushen në mënyrë shteruese, por do të na shoqërojnë gjatë negociatave dhe pas anëtarësimit. Rumania dhe Bullgaria, ndryshe nga vendet e tjera, presin çdo vit një raport për ligjshmërinë. Po nga ta dinë këta? Këta nuk lexojnë”, u shpreh kryeministri.
Por, Blushi theksoi se krimi është ai që ka bllokuar integrimin e Shqipërisë.
“Pse nuk arrestohet Klement Balili? Sepse është i LSI-së. Nëse arrestohet, koalicioni bie. Kjo është qeveria jote! E Klement Balilit, Vangjush Dakos dhe Elvis Roshit. Kjo është qeveria që bllokon integrimin e Shqipërisë. Këta i do për të blerë vota. E ke feudalizuar krimin në Shqipëri. Ke sponsorizuar krimin, duke e kthyer Shqipërinë në arë kanabisi”, deklaroi Blushi.
Top Channel