Hyn në fuqi ligji i ri për të drejtën e autorit, autorët garanci për përfitimet

26/10/2016 00:00

Ligji i ri për të drejtën e autorit do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të krijuesve  përmes krijimit të Agjencive të Reja të profilizuara. Përmes tyre, autorët do të lidhin kontrata me anë të se cilave autorizojnë agjencitë të mbrojnë të drejtat e tyre dhe në këmbim të përdorimit të këtyre të drejtave në fushën e kinematografisë, muzikës, librave apo arteve pamore, do të marrin shpërblimet e përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Mbrojtes së të drejtave të Autorit, një organ i krijuar rishtaz.

“Do të ketë agjenci të reja për secilën fushë në atë të librit, arteve pamore etj, agjenci të cilat duan t’i bashkohen funksionit publik përmes një licence që do të marrin në Ministrinë e Kulturës. Kjo është një nismë e re për të garantuar këtë vazhdimësi. Shpresoj që brenda javës së parë të muajit që vjen të kemi rregullim edhe me akte normative për këshillin Kombëtar të të drejtave të Autorit, i cili është një organ i ri për miratimin e tarifave të shpërblimit që do të paguajnë subjektet përdoruesve”, thotë Edmond Ahmeti, këshilltari ligjor pranë ministrisë së Kulturës.

Por si do të monitorohet zbatimi i këtij ligji?

“Ligji rregullon marrëdhëniet në treg agjenci-autor me institucionet publike. Tani mekanzimat janë më të evidentuara, më të përditësuara sepse kemi marrë praktikat e vendeve të rajonit dhe ato Europiane. Përmes kësaj synohet që autorët e krijuesit të kenë një eficencë më të mirë në treg dhe garanci më të mirë dhe për pasojë do të kenë shpërblim më të mirë”, vijon Ahmeti.

Për të forcuar ligjin, edhe gjobat në shkelje të tij janë rritur progresivisht.

Top Channel