“Nuk e dinin që bashkëshortja ishte në makinë”/ Atentati me dy viktima në Lezhë, Karamuço: S’ka bërë vaki që…

27/04/2026 22:28

Një atentat i dyfishtë ka ndodhur ditën e diel në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentjana Mujeci, prindër të katër fëmijëve.

Policia ka shpallur në kërkim tre persona si autorë të dyshuar të këtij atentati.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, është shprehur në “Top Story” ka zbuluar disa detaje rreth kësaj ngjarje, duke shtuar në fund se Lezha po kthehet në epiqendrën e përplasjeve të forta për shkak të hakmarrjes.

“306 familjeve që ka qarku i Lezhës të ngujuar, ose në risk të lartë për të humbur jetën në konflikte për shkak të gjakmarrjeve, u shtuan edhe këta. Përveç gjyqeve, institucioneve që gjykohen nga prokuroria, bëhen edhe gjyqe private dhe merren vendime. Shqyrtohen me njëri-tjetrin, kanë marrë vendimin dhe në fund marrin vendimin me vdekje.

Më vjen keq se ka humbur jetën edhe bashkëshortja, duke i lënë katër fëmijët jetim. Thuhet që autorët nuk e dinin që bashkëshortja ishte në makinë, sepse makina i kishte xhamat e zinj.

Një person e ka bërë këtë. Ai që është në kërkim, mendohet, deri tani janë të gjitha aludime dhe hipoteza, mendohet se ishte në kërkim për tentativë vrasje dhe si duket, këta që janë moshë më e vogël kanë thënë: ‘Kemi një problem, ti je në kërkim për vrasje, armët i kemi…’. Nuk kanë dashur të fshihen shumë.

U zbulua për 12 orë. Nuk ka bërë vaki që një ngjarje e tillë të zbulohet për 12 orë. Është gjetur makinë e marrë me qira thotë policia, e padjegur. Tani do të shikohet sepse mendohet se mund të kenë ikur edhe në Kosovë. Të paktën janë të identifikuar.

Është një plagë e madhe që na ndodh në atë zonë. Lezha është kthyer epiqendra e këtyre përplasje të forta për shkak të hakmarrjeve”, tha ndër të tjera Karamuço.

Top Channel