Dy vjet nga arrestimi për dosjen e SASPAC, ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, iu pranua kërkesa për të lënë kafazin e qelqtë dhe për ta vijuar procesin në sallë me avokatin përkrah.
I mbetur i vetëm në dosjen e sterilizimit dhe në gjykim të veçuar dhe të zakonshëm për akuzat e vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën dhe grupit kriminal, në 21 maj, Ilir Beqaj do të ulet në këto karrige.
Që ky vendim të zbatohet, gjyqtarja Rudina Palloj urdhëroi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të marrë masat.
Në seancën e dosjes së ‘Sterilizimit’, gjatë përpjekjeve për të komunikuar me avokatin e tij, Beqaj tha: “Kështu është kur salla është me pesë yje”.
“Kam përshtypjen se ishte një ironi për shkak të ndonjë lajmi që mund të ketë dëgjuar në media, por asgjë më shumë se kaq. Nuk mund të konsiderohen me pesë yje”, tha avokati Ermal Yzeiraj.
Por ky vendim është dhënë vetëm për dosjen e ‘Sterilizimit’, që më herët kishte 9 të pandehur, të dënuar nga gjykata. Dy prej tyre, morën pafajësi për grupin kriminal. Në këtë çështje ndaj Ilir Beqajt, gjykata kishte vendosur masën e detyrimit në paraqitje, e gjithsesi, ai përballej me gjykatën nga kafazi i qelqtë.
Kjo do të thotë se në datën 21 maj, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të jetë përkrah avokatit në sallën e gjykatës mbas një serie kërkesash ku ai ka hezituar që ai të lërë kafazin e xhamit dhe të përballet me gjykatën sipas parimit të barazisë së armëve.
Për dosjen e SASPAC, ku Beqaj ka masën arrest me burg, nuk ka asnjë vendim nëse ish-funksionari do ta ndjekë ose jo seancën nga salla.
“Kam thjesht përshtypjen që gjykata u bind nga argumentet dhe gjykata vlerëson që z.Beqaj nuk përbën asnjë rrezik si person dhe duhet të jetë në proces pranë avokatit të tij. Them që procesi do jetë më normal. Unë do të kem mundësinë të komunikoj gjatë gjithë kohës me z.Beqaj dhe mbrojtja jonë do të jetë më efektive”, shtoi Yzeiraj.
Kërkesat për të lënë kafazin e qelqtë e kanë parashtruar dhe të pandehur të tjerë, siç është ish-Presidenti Ilir Meta apo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që përmes avokatit të tij, paralajmëroi në seancën e radhës se nuk do të përballet me gjykatën në rast se nuk i pranohet kërkesa.
Top Channel