Ukrainë, neonazistët vrasin kreun e rebelëve prorusë. Shpërthim edhe në Abkhazi

17/10/2016 00:00

Një grup neonazistësh në Ukrainë, i mbiquajtur “Divizioni mizantrop” ka marrë përsipër vrasjen e një udhëheqësi të rebelëve prorusë në lindje të vendit.

Komandanti i lindur në Rusi, Arsen Pavlov, i njohur edhe me pseudonimin “Motorola”, është vrarë pas një shpërthimi bombe në ashensorin e apartamentit të tij ditën e dielë, në qytetin e Donjeckut.

Autorësia e kësaj vrasjeje është bërë e ditur përmes një sekuence të shkurtër videoje, të publikuar nga Alexander Kots, një korrespondent rus i luftës. Në video shfaqen 4 persona të maskuar dhe të armatosur.

Rusia është një mbështetëse e zjarrtë e kryengritësve në Donjeck dhe jo vetëm, por edhe në rajonin tjetër lindor të Ukrainës, Luhansk. Komandanti “Motorola” udhëhiqte një batalion rebelësh të quajtur “Sparta”, që ka marrë pjesë në shumicën e ofensivave ndaj forcave qeveritare ukrainase në Aeroportin e Donjeckut dhe në Ilovaysk. Ukraina e akuzonte atë për krime lufte.

I lindur në Komi, në veri të Rusisë në vitin 1983, ai e quante veten një “vullnetar” (termi me të cilin Kremlini njeh të gjithë luftëtarët rusë në radhët e rebelëve). Si ai, edhe komandantë të tjerë të rebelëve njihen zyrtarisht se janë shtetas rusë.

Ukraina, fuqitë perëndimore dhe NATO kanë bërë të ditur se ka prova të qarta, që tregojnë se Rusia ka furnizuar rebelët me armatime të rënda dhe i ka mbështetur ata rregullisht me trupa ushtarakë. Rusia e mohon këtë, nga ana e saj, por sjellja e saj është armiqësore ndaj qeverisë së Kievit, teksa mbështet hapur kauzën e rebelëve në Ukrainë.

Njëri prej krerëve të tjerë të rebelëve në Donjeck, Denis Pushilin konfirmoi vrasjen e “Motorolës” nga një shpërthim bombe në ashensor, teksa ai ishte duke u kthyer në shtëpi. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe disa persona të tjerë, sipas tij.

Por ky nuk është i vetmi rast që shqetëson interesat e Moskës në rajonet përreth Federatës Ruse. Një tjetër agresor ka hedhur veten në erë pranë një stacioni televiziv në kryeqytetin e rajonit të shkëputur nga Gjeorgjia, Abkhazi, një lajm i publikuar nga agjencitë ruse të lajmeve këtë të hënë. Në këtë ngjarje raportohet se janë përdorur 200 gramë tritol (TNT- Trinitrotoluene).

“Interfax”, teksa citon zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të këtij rajoni, thotë se agresori i paidentifikuar kishte aktivizuar eksplozivin në hyrje të televizionit shtetëror të Abkhazisë, në Sukhumi, mëngjesin e sotëm. Sipas autoriteteve vendase, kamikazi ka pasur edhe një bashkëpunëtor. Gjithsesi, ata u ndalën shkurtimisht mbi këtë ngjarje të cilësuar si sulm terrorist, ndërsa presidenti i vetëshpallur Raul Khadzhimba i tha “Interfax”-it se ka nisur një hetim për të.

Pavarësisht tensionit me Gjeorgjinë, Abkhazia nuk ka njohur sulme terroriste në tokën e saj. Ky rajon u shkëput nga Gjeorgjia në fillim të viteve ’90, me rënien e ish-Bashkimit Sovjetik. Rusia mori efektivisht kontrollin e plotë të tij, por edhe ndaj Osetisë Jugore, pas një lufte 9-ditore me Gjeorgjinë në vitin 2008. Kufijtë e Abkhazisë janë vetëm pak kilometra larg Sochit, qytetit turistik buzë detit të Zi që organizoi Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2014.

Top Channel