Policia qëllon ndaj makinës së një gruaje që vodhi pampersa, vritet foshnja 1-vjeçare në SHBA

22/10/2026 09:10

Është publikuar videoja e incidentit tragjik në të cilin oficerët e policisë hapën zjarr ndaj një automjeti që transportonte dy gra të akuzuara për vjedhjen e një pakoje pelenash në SHBA.

Nga të shtënat mbeti i vrarë Cohen Wiley, vetëm 1 vjeç, i cili ndodhej në krahët e nënës së tij.

Ngjarja ndodhi më 14 qershor në qytetin Senatobia, pranë Memfisit, pasi policia mori një telefonatë për një vjedhje të dyshuar. Në automjet ndodheshin Velesiya Wiley, nëna e foshnjës, dhe shoqja e saj, Latoya Ferrell.

Pamjet e publikuara tregojnë oficerët e policisë duke rrethuar makinën dhe duke u bërë thirrje dy grave të ndalonin. Më pas, shoferja tenton të kryejë një manovër në drejtim të efektivëve, çka çoi në hapjen e zjarrit nga ana e tyre. Një prej plumbave goditi foshnjën, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas dokumenteve të policisë, Wiley e kishte marrë foshnjën në krahë për të treguar se në automjet ndodhej një fëmijë. Në raportet zyrtare përmendet edhe oficeri Hunter Foster, i cili qëlloi drejt makinës, duke vrarë 1-vjeçarin Cohen Wiley dhe duke plagosur Ferrell.

Byroja e Hetimeve e Misisipit, e cila hetoi ngjarjen, deklaroi se shoferja u drejtua me automjetin nga oficerët, duke rrezikuar të përplaste njërin prej tyre.

Ndërkohë, zyra e Prokurores së Përgjithshme të Misisipit, Lynn Fitch, njoftoi se të shtënat ishin të justifikuara.

Megjithatë, avokati i të drejtave civile Ben Crump, i cili përfaqëson familjen e viktimës, publikoi rezultatet e një autopsie të pavarur. Sipas saj, foshnja ishte qëlluar nga ana e automjetit dhe jo nga pjesa e përparme, duke ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e të shtënave.

Top Channel