Tragjedi në Britani/ Bodibilderi rrëzohet në skenë dhe vdes, një ditë para se të mbushte 34 vjeç
Dëshmi të reja janë paraqitur në gjyqin ndaj komedianit dhe aktorit britanik Russell Brand, i cili përballet me akuza për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj gjashtë grave gjatë periudhës 1999–2009.
Një nga gratë që e akuzon pretendon se Brand e përdhunoi në banesën e tij në vitin 2009. Në dëshminë e saj, ajo tregoi edhe për një komunikim me aktorin rreth gjashtë muaj pas incidentit të pretenduar, kur ai e kontaktoi për t’u takuar sërish.
Sipas deklaratës së saj në polici, gruaja i kishte shkruar se ai e kishte trajtuar “si një kafshë”, ndërsa Brand, sipas saj, i ishte përgjigjur duke kërkuar falje.
Gjatë seancës në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër, u paraqitën deklaratat e regjistruara të gruas, e cila u mor në pyetje edhe nga avokatët e mbrojtjes.
Gruaja dëshmoi se ishte takuar me Brand në vitin 2009, pas një shfaqjeje të tij në Hammersmith Apollo të Londrës. Ajo tregoi se pas shfaqjes kishte shkuar në dhomën e zhveshjes së komedianit, ku të dy kishin kryer marrëdhënie seksuale.
Takimi i dytë, sipas dëshmisë, u zhvillua në banesën e aktorit. Ajo pranoi se kishte shkuar atje me synimin për të kryer marrëdhënie seksuale, por theksoi se kjo nuk nënkuptonte pëlqimin për çdo lloj akti seksual.
E pyetur nga policia nëse kishte pasur një diskutim paraprak për marrëdhënie seksuale anale, gruaja u përgjigj negativisht. Ajo pretendon se aktori vazhdoi me një akt seksual pa pëlqimin e saj dhe më pas u soll sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Sipas dëshmisë së gruas, rreth gjashtë muaj pas incidentit të pretenduar, Brand e kontaktoi përmes mesazheve, duke shprehur dëshirën për një tjetër takim seksual.
Ajo tha se u habit nga mesazhi dhe e pyeti përse po e kontaktonte. Sipas deklaratës së saj, përgjigjja e aktorit ishte fyese dhe e bëri të ndihej edhe më keq.
Gruaja tregoi se më pas i kishte shkruar: “Mendoj se më ke shtyrë mjaftueshëm. Më ke trajtuar sikur të isha kafshë”. Sipas saj, Brand i ishte përgjigjur menjëherë duke i kërkuar falje.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo foli edhe për konsumimin e alkoolit para se të shkonte në banesën e aktorit. Ajo dëshmoi se kishte pirë dy gota në shtëpi dhe një tjetër në një restorant, ku po priste shoferin e Brandit.
Gruaja deklaroi gjithashtu se, pasi mbërriti në banesë, aktori i kishte kërkuar të bënte dush dhe të lante dhëmbët para se të kryenin marrëdhënie seksuale. Mbrojtja argumentoi se kërkesa mund të lidhej me faktin se Brand nuk konsumonte alkool dhe mund të mos e toleronte erën e tij. Ajo nuk u pajtua me këtë shpjegim.
Në përfundim të dëshmisë, gruaja shpërtheu në lot. Ajo këmbënguli se pëlqimi për marrëdhënien e parë seksuale nuk nënkuptonte pëlqim për aktin që denoncon si përdhunim.
Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, gruaja u kishte treguar për ngjarjen miqve të afërt dhe prindërve të saj, të cilët e kishin shoqëruar në një klinikë për ekzaminim mjekësor. Megjithatë, ajo nuk kishte bërë denoncim në polici në atë kohë.
Russell Brand i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, përfshirë tri akuza për përdhunim, tri për sulm seksual dhe një për sulm të pahijshëm. Aktori ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e palës tjetër.
Top Channel