Tragjedi në Britani/ Bodibilderi rrëzohet në skenë dhe vdes, një ditë para se të mbushte 34 vjeç

22/10/2026 09:17

Një garë bodybuilding-u në Britani është kthyer në tragjedi, pasi atleti Mateusz Chmura u rrëzua në skenë gjatë finales së PCA të dielën dhe humbi jetën në spital.

Ngjarja ndodhi vetëm një ditë para ditëlindjes së tij të 34-t.

Chmura, nga Wakefield, mori ndihmën e parë në vendngjarje, në një incident të përshkruar si jashtëzakonisht të dhimbshëm. Më pas, ai u transportua me helikopter drejt spitalit, ku më vonë u konfirmua vdekja e tij.

Shkaku i vdekjes së atletit mbetet ende i panjohur. Shoqata e Kulturës Fizike e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi ndarjen e tij nga jeta, duke shprehur “trishtim të thellë” për humbjen.

Gara e PCA ishte kompeticioni i dytë ku merrte pjesë Chmura. Vetëm dy javë më parë, ai kishte zënë vendin e dytë në garën e tij të parë të bodybuilding-ut.


Humbja e atletit ka tronditur edhe familjen e tij. Chmura ishte martuar me bashkëshorten e tij, Patricia, vetëm dy muaj para ngjarjes tragjike.

Ndërkohë, Patricia ka reaguar publikisht për një fushatë të pretenduar për mbledhjen e fondeve në internet në emër të bashkëshortit të saj. Ajo sqaroi se nuk kishte autorizuar askënd të mblidhte para për të ose për familjen.

“Nuk kam autorizuar askënd të mbledhë para në emrin tim ose të familjes sime”, shkroi ajo në një postim në Instagram, duke paralajmëruar njerëzit të tregohen të kujdesshëm ndaj nismave të tilla.

Ajo shtoi se nuk do të dëshironte që dikush të humbiste paratë e fituara me mund, duke menduar se po ndihmonte familjen në këtë periudhë të vështirë.

Top Channel