SHBA, ëndrra e demokratëve: Pelosi, në krye të Dhomës së Përfaqësuesve

17/10/2016 00:00

Sondazhet në rënie për kandidatin republikan Donald Trump, i cili duket se pas vetes po fundos edhe të gjithë partinë, shtojnë mundësitë që Nancy Pelosi të mund të rikthehet në krye të Dhomës së Përfaqësuesve pas një mungese 6-vjeçare.

Askush nuk e ka bërë një gjë të tillë deri më sot, që pas legjendarit Sam Rayburn rreth 60 vite më parë, e sigurisht që mbetet sërish e vështirë të ndodhë. Megjithatë, kryesimi i Dhomës së Përfaqësuesve mbetet ende një post për t’u konsideruar, sipas ekspertëve të të dyja spektreve të politikës, gjë që nënkupton se 76-vjeçarja Pelosi mund të trokasë “çekiçin” e dhomës së ulët të Kongresit amerikan nga janari e në vijim.

Një gjë e tillë do të ishte një triumf mahnitës, thuajse i pamendueshëm, për vet Pelosin. Demokratët humbën 63 vende në vitin 2010, ndaj dhe shumë politikanë menduan se Pelosi mund ose duhej të tërhiqej e të dilte në pension. Por ligjvënësja nga Kalifornia nuk u tund nga këto kërkesa. Demokratët rifituan disa vende në vitin 2012, teksa presidenti Barack Obama rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë, por ato i humbën sërish në vitin 2014. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve siguruan triumfin dhe shumicën më të madhe në 80 vite, duke shtuar thashethemet mes disa ligjvënësve, nëse Pelosi duhej vërtet të largohej dhe t’i bënte vend një udhëheqësi më të ri në moshë, i cili do të mund të rikthente demokratët dominues në tokën e premtuar.

Pelosi rezistoi sërish. Ajo pa republikanët teksa rrëzonin John Boehnerin vitin e kaluar, duke e zëvendësuar atë me Paul Ryan, 30 vjeç më tëri. Por, duke parë rritjen e Trumpit, ajo prej muajsh është shprehur se demokratët duhet të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Askush nuk e besoi fillimisht atë, duke i konsideruar komentet e saj thjesht si një përpjekje rituale e një udhëheqësi politik që përpiqet të grumbullojë pas vetes “ushtarët” e tij.

Edhe tani, kur kanë mbetur më pak se 4 javë nga dita e zgjedhjeve, demokratëve papritur u është shtuar oreksi për të siguruar të paktën 30 vendet e domosdoshme për të qenë shumicë. “Nuk jemi më në një situatë kur pyesnim ‘A mund të luftojmë për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve?’, – thotë demokrati Xavier Becerra i Kalifornisë. – Tashmë jemi në një situatë ‘A munden republikanët të luftojnë për të mos e humbur Dhomën?’”.

Pelosi u ka dërguar një letër demokratëve pasditen e së premtes, përmes së cilës i pyet ata se kur mund të mbahen zgjedhjet për udhëheqësinë në nëntor, duke e shoqëruar me shtojcën: E lumtur që mund të presim një klasë të re politikanësh!

Nëse demokratët arrijnë të marrin Dhomën, atëherë republikanët do të ishin mëse pretendentë për ta rifituar atë pas dy vitesh, kjo sepse zgjedhjet e mesit të mandatit zakonisht favorizojnë konservatorët. Kjo e bën edhe më joshëse për demokratët për ta thyer këtë “tabu”, pse jo kur u jepen mundësitë.

Publikisht, demokratët janë duke u përpjekur të frenojnë entuziazmin, duke paralajmëruar se ka ende shumë kohë deri në zgjedhje, ndaj dhe nuk ka ardhur momenti për të hapur shampanjën.

Top Channel