Ja çfarë ndodh pas inspektimit të beftë të sheikut në Dubai

30/08/2016 00:00

Një inspektim i papritur në zyrat e shërbimit civil nga sunduesi i Dubait rezultoi në atë që për sheikun Mohammed konsiderohej pamje e papranueshme dhe tepër shqetësuese. Kjo, sepse ai u gjend përpara tryezave të boshatisura, të cilat normalisht duhej të ishin të zëna nga zyrtarë të niveleve të larta madje.

Sipas raportimeve të gazetës “Gulf News”, kjo gjë ka ndodhur jo në një pasdite të ndonjë dite kur edhe mund të mos qëndrohej deri në orët e vona të punës, por pikërisht mëngjesi i së dielës së kaluar në Dubai, që sheiku Mohammed bin Rashid e kishte zgjedhur për një inspektim të beftë në disa prej departamenteve të shërbimit civil.

E diela është një ditë e zakonshme pune në Emiratet e Bashkuara, ndaj dhe sheiku e kishte nisur turin e tij të papritur që prej orës 7 e 30 të mëngjesit, duke pritur padyshim që të shihte zyrtarët më të lartë të ishin në punë në atë orar.

Por, ashtu siç tregon edhe videoja e publikuar në “Twitter” nga media shtetërore, sundimtari i Dubait është i vetmi person i pranishëm në njërën prej këtyre zyrave. Ai ishte i shoqëruar, gjithsesi, nga portreti i tij i varur në kornizë në murin e saj.

Dhe ju do të pyesni se çfarë ndodhi më tej? Plot 9 zyrtarë të lartë të Bashkisë së Dubait janë urdhëruar të japin dorëheqjen si pasojë e vizitës së papritur të sheikut.

Sheiku Mohammed njihet për inspektimet e papritura gjatë orëve të mëngjesit, të cilat i ndërmerr me synimin “për t’u siguruar se të gjitha shërbimet qeveritare kryhen në standardet më të lakmuara dhe të admiruara globalisht”, ndaj dhe prania e tij mund të mos konsiderohet edhe aq surprizë, pavarësisht se disa prej zyrtarëve e pësuan këtë herë.

Një tjetër inspektim është bërë edhe në aeroportin e Dubait, por këtë herë, zyrtarët e emigracionit kanë qenë të gjithë të pranishëm nëpër vendet e tyre të punës, siç bën të njohur “Al-Arabiya TV”.

Edhe pse asnjë prej “bosave” të shërbimit civil të shkarkuar nuk është identifikuar, Mona al-Marri, drejtor i përgjithshëm i “Dubai Media Office” tha për gazetën “The National” se vendimmarrësi më i lartë i vendit “dëshironte të jepte një mesazh të qartë”.

“Rregullat vendosen për t’u respektuar dhe këtë duhet ta nisim me ata që janë lart fillimisht. Nuk mund të shkojmë e të ndjekim punonjësit, nëse drejtuesit e tyre janë të parët që mungojnë në punë dhe nuk respektojnë rregulloren”, ka thënë Al-Marri.

Top Channel