Jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër

16/08/2016 00:00

Një shprehje e vjetër popullore thotë se jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër dhe duket se pamjet që vijnë nga Kina e vërtetojnë më së miri këtë.

Dy qytetarë kinezë i kanë shpëtuar në mënyrë të pashpjegueshme vdekjes pasi një automjet betoniere u rrëzua mbi makinën e tyre duke e shkatërruar atë plotësisht. Autoritetet kineze publikuan pamjet e rralla që vijnë nga qyteti Ningbo në provicën lindore Zhejiang dhe këto kanë bërë xhiron e botës në pak orë.

Në video një fuoristradë ecën ngadalë në një stacion karburanti, kur nga hiçi shfaqet autoboti, drejtuesi i të cilit në përpjekje për të shmangur një aksident, përmbys kamionin mbi makinën e dy fatkeqëve duke e shtypur atë thuajse plotësisht.

Dëshmitarët okularë thanë se vrapuan në vendngjarje duke pritur të gjenin viktima, por gjetën brenda në makinë një grua dhe një burrë ende gjallë. Gruaja u nxorr menjëherë nga mjeti, ndërsa për të çliruar mashkullin u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës që prenë metalin e shtrëmbëruar të makinës me mjete elektrike.

Mediat lokale raportuan se gruaja është jashtë çdo rreziku për jetën, ndërsa bashkë-udhëtari i saj po mbahet nën vëzhgim, por duket se pas kësaj mrekullie edhe ai ka shpëtuar paq.

Top Channel