Seul, sinjalistikë e re për të fiksuarit pas celularit

15/08/2016 00:00

Celularët janë padyshim një send që zor se njerëzit e lëshojnë nga dora. Bashkë me këtë varësi për teknologjinë e re dhe virtualen, vijnë edhe shumë probleme të tjera që pasqyrohen mjaft rëndë në botën reale, mbi të gjitha ato në lëvizjen e njerëzve në trafik.

Njerëzit që ecin në rrugë duke parë telefonin, apo më keq akoma, që ngasin makinën duke bërë të njëjtën gjë, janë një pamje e zakonshme që fatkeqësisht po shndërrohët në normë. Kjo ka detyruar autoritetet në Korenë e Jugut, vendi me më shumë telefona celularë në botë, që të marrë masa serioze, madje të shtojë shenjat e qarkullimit rrugor me një kategori të re, atë për përdoruesit e telefonave inteligjentë.

Në Korenë e Jugut, mbi 80% e popullsisë zotëron një “smartphone” dhe njerëzit e pavëmendshëm janë shndërruar në një çështje serioze për trafikun. Në rrugët e Seulit janë shfaqur shenjat e reja të trafikut që paralajmërojnë njerëzit të mos merren me telefonat ndërsa kalojnë rrugën. Gjatë 5 viteve të fundit, aksidentet që kanë pasur lidhje me telefonat celularë në Korenë e Jugut janë trefishuar, duke treguar seriozitetin e problemit.

Vetë përdoruesit e tyre thonë se e dinë që është diçka e gabuar të injorosh gjithçka rreth teje dhe të përqëndrohesh vetëm tek telefoni, por duket se pa e pësuar, askush nuk ka ndërmend të ndryshojë. Seuli nuk është qyteti i parë që merr masa të tilla, por pavarësisht tabelave rrugore e deri tek dritat shumëngjyrëshe për të paralajmëruar njerëzit, duket se telefonat celularë janë shndërruar në një varësi të pamposhtur.

Top Channel