Ne Pingtung të Tajvanit, punëtorët e fabrikës “Chuanso” nuk kanë kohë të marrin frymë. Atyre u duhet t’i japin dorën e fundit tempujve të lëvizshëm të përmasave të ndryshme, përpara se të vendosen nëpër kamionë e të dërgohen në destinacionin e tyre përfundimtar.

Shumica e kompanive tajvaneze shpenzojnë rreth 6 muaj për ndërtimin e tempujve tradicionalë me tulla e çimento, por firmës së 78-vjeçarit Lin Fu-Chun i duhen vetëm 6 javë. Prodhimet e saj janë gjithashtu 40% më të lira. Procedura është e thjeshtë: derdhet beton mbi një kallëp gjigant dhe pritet derisa të thahet. Pas kësaj vjen zbukurimit me ngjyra të forta e të shumëllojshme.

“Dikur ndërtonim tempujt të mëdhenj jashtë. Por ndërsa mosha kalonte, nisa të mendoj si mund t’i krijojmë edhe këtu brenda në fabrikë. Është më e volitshme për disa njerëz, të cilëve thjesht u nevojitet një tempull i vogël për t’u lutur. E kam vrarë mendjen gjithmonë si t’iu siguroj njerëzve vende sa më të përshtatshme adhurimi”, tha Lin Fu-Chun, pronar i “Chuanso Co. Ltd”.

Lin mbikëqyr rreth 20 produkte njëherazi në fabrikën e tij të bollshme, ku punëson gati 100 vetë. Kërkesat për tempuj dhe statuja hyjnish të përmasave të ndryshme janë të shumta. Modelimin e tempujve ai e ka nisur që në 1993-shin, ndërsa përpara kësaj krijonte dragonj e fenikse, nga ata që shihen rëndom mbi tempujt e ishullit. Por sot, këtë punë të lodhshme ua ka lënë në dorë të punësuarve të vet, disa nga të cilët janë fermerë lokalë, që punojnë te “Chuanso”-ja me kohë të pjesshme.

Top Channel