Kur të mërzitet deti dhe rëra

28/07/2016 00:00

Jeni mërzitur nga Karaibet? Nga ato plazhet me rërë të argjend, nga palmat dhe ujërat kristal?

Alternativa ekziston në formën e një shëtitjeje eksploruese në platformat gjigante të naftës në Detin e Veriut. Kryqëzori i parë sapo është nisur nga brigjet norvegjeze dhe personave në bord, udhëtimi katër ditor i duket një eksperiencë e rrallë.

“Nuk e besoja se këtu mund të ngriheshin struktura të tilla kaq të mëdha. Është e mrekullueshme, të lë pa fjalë. Jam kaq e entuziazmuar sepse nuk dija pothuajse asgjë për to. Kemi shëtitur nga platforma në platforme, i kam parë të gjitha nga afër, e jashtëzakonshme”, shprehet Karin Somme, turiste.

Njëra prej platformave në fjalë, “Troll A e Statoil” është dhe struktura më e rëndë e këtij lloji e prodhuar ndonjëherë. Ajo ngrihet 200 metra mbi sipërfaqen e detit.

Grupi i 120 turistëve, që të gjithë norvegjezë me përjashtim të një shtetasi gjerman dhe një çifti suedez kanë paguar nga 700 deri ne 3.500 dollarëve për katër ditë në bordin e anijes supermoderne “Edda Fides”.

Udhëtimin e organizonte firma që siguron strehimin e punëtorëve në platformat e naftës. Është thjesht një mënyrë e re të të bërit biznes: Firmat e arit të zi në vend po përpiqen të përballojnë kostot pas tkurrjes së ndjeshme të çmimit të naftës që prej mesit të vitit 2014.

Top Channel