Dyluftimet mesjetare, pjesë të Olimpiadave

21/07/2016 00:00

Të apasionuar pas kësaj pjese të së shkuarës, një grup britanikësh janë nismëtarët e përpjekjeve për ta shndërruar dyluftimin kalorsiak në sport olimpik.

Ndeshja mbi kuaj e kalorësve të mbuluar në hekur nga koka në këmbë, që i drejtojnë njëri-tjetrit heshta të rënda 3.7 metra të gjatë, e meriton një vend në Lojërat Olimpike sipas Dominic Sewell, profesionist i kësaj fushe. Dhe Sewell nuk është i vetëm në këtë nismë. Atë e mbështet organizata bamirëse “English Heritage”, e cila kujdeset për 400 ndërtesa, monumente e zona historike.

Për këtë qëllim është lançuar dhe një peticion “online” përpara lojërave të Rios.

Kalorësit e mesjetës e përdornin këtë formë dyluftimi për të treguar forcën e tyre, aftësitë në përballje dhe ato në kalërim. Turneu i parë i këtij lloji, nga sa tregojnë regjistrimet, është mbajtur në vitin 1066, e më vonë do të shndërrohej në njërin prej eventeve të preferuara të Mbretit Henry VIII dhe Mbretëreshës Elisabeta e I-rë.

Përballjet e asaj kohe përfundonin jo rrallëherë në plagosje apo vdekje, por heshtat e përdorura sot janë të prodhuara në mënyrë të tillë që të thërrmohen gjatë goditjes, duke reduktuar kështu ndjeshëm rrezikun për garuesit.

Top Channel