Zbulimi është bërë në 2013-n, por vetëm tani shkencëtarët izraelitë ishin mjaftueshëm të bindur për ta bërë publike gjetjen për herë të parë të një varreze filistine.

Ekspedita “Leon Levy” kishte 30 vite që gërmonte mes të tjerash edhe për këtë qëllim, e bindur kësisoj se do të arrijë të zbardhet misteri që rrethon origjinën e popullit, i cili jetoi në shekullin e XII-të para Erës sonë në brigjet e detit Mesdhe.

Golia, armiku i madh i izraelitëve të lashtë, luftëtari i fuqishëm i historisë biblike që e tregon të mposhtet nga një bari i thjeshtë, Davidi, ishte filistin. Pak dihet sot nga mënyra e tyre e të jetuarit dhe fillesat si popull.

Shpresat janë që ky zbulim të ndihmojë sadopak dhe të dhënat e para janë përftuar që nga gjetja e varrezës 3.000-vjeçare, ku njerëzit ishin varrosur bashkë me stolitë e tyre e poçe vaji të parfumosura. Ekipet e kërkuesve, – thotë “Reuters”, – gjetën gjithashtu pjesë të ADN-së në skeletet e dala në dritë e shpresojnë se, falë testeve të mëtejshme do të arrihet të përcaktohet origjina e filistinëve.

“Në pjesën më të madhe të Biblës, për filistinët flitet keq, pasi ajo ishte periudhë përplasjesh. Izraelitët zbrisnin nga kodrat, filistinët tentonin të ngjiteshin, e në fund filistinët humbën”, tha Laërence Stager, arkeolog.

Ekipi i arkeologut Stager gërmoi rreth 3 metra për të rënë në gjurmët e varrezës, e cila duket se ishte përdorur shekuj më vonë nga romakët për vreshta. Disa prej skeleteve kishin ende byzylykë e vathë, të tjerë kishin armë. Kërkuesit kanë dokumentuar pozicionin e çdo kocke të lëvizur nga vendi, në mënyrë që më vonë të mund të arrihet rikrijimi i varrezës në 3D.

Top Channel