Lindja e tij në fillim të qershorit, në një kopësht zoologjik të Belgjikës, ishte një ngjarje aq e rrallë sa shumë nxituan ta përshkruajnë si “mrekulli të vërtetë”.

Tani, këlyshi i pandës gjigante, që ndryshe nga prindërit e tij ende nuk e ka një emër, po përpiqet të ngrihet në këmbë. Ka vetëm 1.864 panda të këtij lloji nëpër botë, 300 prej të cilave jetojnë në parqe natyrore të ngritura për mbrojtjen e specieve në rrezik.

Pandat riprodhohen me shumë vështirësi nëse nuk janë në habitatin e tyre të natyrshëm, ndaj ardhja në jetë e këtij këlyshi u prit nga ekspertët me entuziazëm të madh. Për të porsalindurin, periudha e rrezikut nuk ka kaluar ende, megjithatë ecuria e tij është e kënaqshme.

Kopshti zoologjik belg i ka strehuar prindërit e tij që në vitin 2014, në bazë të një marrëveshjeje të arritur me autoritetet kineze. Nëse çdo gjë shkon mirë, këlyshin ai mund ta mbajë për 4 vite përpara se të kthehet në Kinë. Kjo ishte e 6 lindje e këtij lloji në Europë përgjatë 20 viteve të fundit.

Top Channel