“Impulsi Solar” përfundon fluturimin mbi Atlantik

23/06/2016 00:00

Avioni që funksionon vetëm me energji diellore, “Impulsi Solar”, përfundoi me sukses fluturimin përtej Atlantikut, në përpjekjen historike për t’i rënë botës qark. 

Ai u ul në qytetin spanjoll të Sevijës, duke shënuar kështu fundin e fazës së 15 të udhëtimit të tij. Piloti Bertrand Piccard avancoi me shpejtësi në oqean pas nisjes nga Nju Jorku ditën e hënë. Tani, destinacioni i radhës do të jetë Abu Dabi, ku edhe nisi aventura ambicioze në mars të vitit 2015.

“Impulsi Solar” ka përparuar shumë në udhëtimin e tij rreth botës që prej rikonfirmimit të misionit në 21 prill në Hauai. Në vitin 2015 avioni realizoi me sukses 8 etapa nga Abu Dabi dhe Kalaeloa, përfshirë një fluturim prej 21 orësh mbi Paqësorin Perëndimor, i pari i këtij lloji në historinë e aviacionit. Por, dëmet në bateri detyruan “Impulsin Solar” të ndërpriste misionin për 10 muaj për riparime dhe priti zgjatjen e ditës në hemisferën veriore për t’iu rikthyer fluturimit. 

Avioni është i mbuluar me 17 mijë qeliza diellore, të cilat vënë në lëvizje motorët e mjetit fluturues në mënyrë të drejtpërdrejtë ose karikojnë beteritë me litium jon, që mbështesin avionin gjatë natës. Projekti nuk synon të orientojë të ardhmen e aviacionit civil, por të tregojë kapacitetet e energjisë diellore.

Top Channel