Filadelfia miratoi një taksë për pijet e ëmbëlsuara me apo pa gaz, pavarësisht fushatës milionere të industrisë së pijeve për ta ndalur këtë masë. Filadelfia bëhet kështu qyteti i parë i madh amerikan që do të implementojë taksën e pijeve të ëmbla, e cila, sipas mbështetësve të saj, do të përmirësojë shëndetin e 1,5 milionë banorëve të qytetit.

Por kritikët e kësaj takse thonë se ajo do të dëmtojë biznesin e vogël dhe njerëzit e varfër. Masa e re hyn në fuqi janarin e ardhshëm dhe pritet që të grumbullojë 90 milionë dollarë gjatë vitit 2017. Kryebashkiaku demokrat i Filadelfias, Jim Kenney, tha se të ardhurat nga kjo taksë do të shpenzohen për kopshte dhe shkolla si dhe për qendra argëtimi për fëmijët.

Ai tha se me këtë ligj të ri, Filadelfia bëri një investim historik në lagjet e saj dhe në sistemin e saj arsimor. Taksa do të jetë rreth 50 cent për litër dhe do të paguhet për të gjitha pijet e ëmbla, me gaz apo pa gaz dhe me ëmbëlsues artificialë.

Prodhuesit mund të zgjedhin nëse taksën do t’ia kalojnë apo jo konsumatorit. Taksat për pijet e ëmbla kanë dështuar në më shumë se 30 shtete amerikane dhe qyteti tjetër që ka një taksë të ngjashme është Berkeley, në Kaliforni. Industria e pijeve zhvilloi një fushatë të fortë dhe shpenzoi miliona dollarë për ta ndalur këtë taksë në Filadelfia, por nuak ia doli dot. Analistët thonë se Filadelfia mund të përbëjë një precedent nëse taksa jep rezultate dhe të implementohet edhe nga qytete të tjera.

Autoritetet e Filadelfias ndërkohë thonë se masa ishte e domosdoshme, pasi 68% e të rriturve dhe 41% e fëmijëve nën 18 vjeç në qytet janë mbipeshë ose obezë.

Top Channel