Komunikimi tashmë ju përket të gjithëve dhe kanalet moderne janë mediat sociale, si Instagrami dhe Facebook-u. Imazhi është një ndër format më të perceptueshme nga publiku dhe të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, mund të jenë pjesë e një konkursi fotografik nën hashtagun #ColoursofAlbania.

Kjo nismë e Ministrisë së Jashtme synon të përfshijë qytetarë që dëshirojnë të promovojnë bukuritë shqiptare, duke shndërruar ata në diplomatë dixhitalë.

“Është një përpjekje për të treguar Shqipërinë që kemi. Është kënaqësi të shohësh reagimin e atyre që vizitojnë Shqipërinë për herë të parë apo të atyre që e jetojnë Shqipërinë me sy të pa interesuar politikisht”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

“‘Colours of Albania’ nuk është një konkurs bukurie. Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shpresoj që të pasqyrojnë copëza nga Shqipëria jonë, tradita, natyra e gjeografi të cilat ia vlen t’ia rrëfesh tjetrit”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Një fotografi më shumë se të tregojë i duhet të nxisë reflektimin dhe Shqipëria mund të jetë bardh e zi apo gri përtej ngjyrave.

“Në qoftë se një qytetar e ndjen që duhet të tregojë një realitet ku duhet kushtuar vëmendje, atëherë është i lirë ta bëjë këtë”, thotë Erinda Toska, koordinatore e projektit ”Colours of Albania”.

Nisma “Colours of Albania” vjen në edicionin e dytë këtë vit, do të zgjasë deri në tetor dhe në përfundim do të vlerësohen dhjetë fotot më të mira. Ato do të promovohen në një ekspozitë lëvizëse në botë, përveç “bookletit” përmbledhës.

Top Channel