“Qelizat më frikësuan për një tumor”/ Aulona Musta rrëfen vitin më të vështirë: Fitoj para nga sharësit, politikën ua kam lënë influencerave
Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara vijojnë përpjekjet për të rritur organet njerëzore brenda trupit të derrave, duke injektuar qeliza bazë njerëzore në embrionet e derrave, në mënyrë që të prodhojnë embrionë të përzierë të njohur si “chimeras”, apo organizma me inde gjenetikisht të ndryshueshme të formuar nga mutacione të ndryshme.
Embrionet janë pjesë e një kërkimi shkencor që synon tejkalimin e mungesës globale të organeve për transplant. Ekipi i Universitetit të Kalifornisë thotë se, këto embrione duhet të duken dhe të sillen normalisht si derra, me përjashtimin e vetëm që njëri prej organeve të tyre do të jetë i përbërë nga qeliza humane.
Embrionet “gjysmënjeri-gjysmëderr” (chimeric) lejohen të zhvillohen nëpër dosa për 28 ditë përpara se të ndërpritet shtatzënia, e më pas indet shkëputen për analiza të mëtejshme. Krijimi i embrioneve kimerike kalon nëpër dy faza. Fillimisht përdoret një teknikë për korrektimin e gjeneve e njohur si CRISPR për të hequr ADN-në nga një embrion i fertilizuar derrash, i cili do t’i mundësonte fetusit të rriste një pankreas. Kjo gjë do të krijonte një “boshllëk” gjenetik. Më pas, qeliza burimore pluripotente të induktuara njerëzore (iPS) injektohen në embrionin në fjalë. Këto qeliza iPS e kanë prejardhjen nga qelizat e rritura dhe kthehen në qeliza burimore të afta për t’u zhvilluar duke u kthyer në një ind trupor.
Ekipi shkencor “UC Davis” shpreson që qelizat burimore njerëzore të shfrytëzojnë avantazhin e këtij boshllëku gjenetik në embrionin e derrit, ndaj dhe fetusi i ndryshuar të mund të rrisë një pankreas njerëzor.
Pablo Ross, një biolog riprodhues që udhëheq studimin thotë se “shpresa jonë është që embrioni i derrit të zhvillohet normalisht, por pankreasi të jetë i përbërë thuajse tërësisht nga qeliza njerëzore dhe të jetë i përshtatshëm dhe i përputhshëm me ndonjë pacient në nevojë për transplant”.
Top Channel