Ata janë “mbretërit e Europës”. Reali i Madridit është shpallur për të 11-n herë kampion në Champions League, duke e fituar trofeun më të rëndësishëm për klube në finalen ndaj Atletico-s pas gjuajtjeve të 11-metërshave, pasi 120 minutat e lojës ishin mbyllur në barazim 1-1.
Sergio Ramos dhe Carrasco ishin autorët e dy golave të shënuar përkatësisht nga një për secilën pjesën. Megjithatë në fund vendimtar ishte sërish Ronaldo. Portugezi ktheu në gol penalltinë e pestë të Realit, ndërsa më parë kishte gabuar për Atletico-n Juanfran.
“Los Blancos” e nisën në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen, duke kaluar në avantazh që në minutën e 15 me anë të mbrojtësit Sergio Ramos. Bale devijon topin që vinte nga një goditje dënimi dhe Ramos e dërgon në rrjetë. Lojtarët e Atletico-s pretenduan për pozicion jashtë loje, por gjyqtari nuk ishte i këtij mendimi.
Më pas, Atletico tentoi më shumë drejt portës së Realit, por pa arritur të gjejë golin e barazimit. Ekipi i drejtuar nga Simeone e nisi furishëm pjesën e dytë dhe menjëherë fitoi një 11-metërsh, por sulmuesi francez Griezmann u tregua i pasaktë, duke goditur traversën.
Më pas ndeshja u zhvillua thuajse e barabartë, ku Reali po tregohej i kujdesshëm duke e mbrojtur mirë rezultatin. Por ishte minuta e 79 e takimit, kur Carrasco bëri të heshtin tifozët madrilenë.
Belgu 22-vjeçar e dërgoi topin në rrjetën e Realit pas një krosimi nga krahu i djathtë duke barazuar rezultati. Minutat e mbetura, por edhe shtesa, dy herë nga 15 minuta nuk mjaftuan për të vendosur kampionin dhe u nevojitën goditjet e 11-metërshave.
Juanfran ndëshkoi ekipin e Simeones, duke gabuar penalltinë e katërt për Atletico-n, ndërsa madrilenët ishin perfektë, duke u kurorëzuar me titullin e 11 në Champions, si askush tjetër në Europë.
Top Channel