Superformacioni i Botërorit/ Nga Messi te Haaland e Mbappe, yjet që po dominojnë Amerikën

11/07/2026 14:05

Spektakli i raundit të 1/8-ave të Kupës së Botës 2026 ka prodhuar edhe formacionin më të mirë të kësaj faze, të ndërtuar mbi bazën e vlerësimeve individuale më të larta të futbollistëve në ndeshjet e tyre.

Në sulm nuk kishte si të mungonin tre nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Lionel Messi kryeson me notën 9.3, duke konfirmuar edhe një herë se mbetet lideri i Argjentinës në momentet vendimtare. Në krah të tij është Erling Haaland me 9.1, protagonisti absolut i Norvegjisë pas dopietës historike ndaj Brazilit, ndërsa treshen e plotëson Charles De Ketelaere me notën 8.5, falë paraqitjes së shkëlqyer me Belgjikën.

Edhe mesfusha është e mbushur me cilësi. Jude Bellingham merr notën 9.0 pas performancës fantastike ndaj Meksikës, ku realizoi dy gola dhe udhëhoqi Anglinë drejt çerekfinaleve. Në qendër qëndron Leandro Paredes me 8.3, dirigjenti i Argjentinës, ndërsa Azzedine Ounahi me 9.0 shpërblehet për paraqitjen mbresëlënëse me Marokun.

Në repartin defensiv dominojnë emra me eksperiencë dhe siguri. Dy marokenët Noussair Mazraoui (7.9) dhe Achraf Hakimi (7.4) zënë krahët, ndërsa në qendër vendosen Dayot Upamecano (7.5) dhe Cristian Romero (7.7), të cilët zhvilluan paraqitje solide në sfidat e tyre.

Porta i besohet zviceranit Gregor Kobel, i cili me notën 9.3 ishte një nga heronjtë absolutë të raundit, duke rezultuar portieri me vlerësimin më të lartë.

Ky formacion përmbledh futbollistët që kanë lënë gjurmën më të madhe në fazën e 1/8-ave dhe deri në këtë moment të Botërorit. Një skuadër e mbushur me kampionë, surpriza dhe protagonistë, që dëshmon se Kupa e Botës 2026 po ofron jo vetëm emocione, por edhe performanca individuale të nivelit më të lartë.

Top Channel