Basti i veçantë në kuadër të Botërorit, Norwegian Airlines sfidon British Airways
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni dëshiron që skuadra e tij të kujtohet si ajo që nuk dorëzohet kurrë, që shtyhet nga pasioni që mban këtë komb të çmendur pas futbollit. Këtë ai e ka shprehur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes çerekfinale ndaj Zvicrës.
Në Botërorin 2022, skuadra Albiceleste ishte shumë pranë eliminimit në rrugëtimin e saj, ndërkohë që edhe në këtë edicion përjetoi momente shumë të vështira në ndeshjet ndaj Kepit të Gjelbër e sidomos ndaj Egjiptit për të arritur në çerekfinale
‘Do të doja që kjo skuadër të kujtohej si një ekip që nuk është dorëzuar kurrë-tha Scaloni-kjo është trashëgimia që duam të lëmë. Ndoshta është ndryshe në nivel klubesh, por kur bëhet fjalë për kombëtaren argjentinase është e gjitha një çështje pasioni. Objektivi është të luajmë me të njëjtin pasion që ke pasur kur ke qenë 7 apo 8 vjeç, kur ishe në rrugë dhe nuk doje të humbjë asnjë top të vetëm’
Scaloni që ka qenë asistenti i Sampaolit, e mori drejtimin e Argjentinës në 2018 si trajner i komanduar. Por ai ka ditur të transformojë skuadrën në një makineri fitoreshe me 2 tituj në Kupën e Amerikës në 2021 dhe 2024 dhe një Kupë Bote në 2022. ‘La Scaloneta’ siç e quajnë argjentinasit kombëtaren e tyre do të përballet me një Zvicër të shkëlqyer sipas trajnerit argjentinas, që ka në përbërje lojtarë ekspertë, fizikë dhe atletikë dhe që do t’i hapë punë ekipit të tij.
Më pas Scaloni kritikoi edhe mediat që e përshkruan Lionel Messin si një lojtar më të ngadaltë në krahasim me të kaluarën, me më pak shpërthime të shpejta
‘Duhet të na kërkosh ndjesë ne dhe Messit-i tha Scaloni një prej gazetarëve-nëse i referohesh paraqitjes së tij fizike, Leo përshkruan gjithnjë distanca të ngjashme gjatë ndeshjeve. Nuk vrapon as më shumë e as më pak dhe është konstant në lojën e tij. Në moshën 39 vjeçare, dikush mendon se nuk është në momentin më të mirë të tij. Për momentin është më i miri dhe përsa kohë do të dojë, dhe këtë nuk e them sepse jam trajneri i tij në kombëtare, do të vazhdojë të jetë. Përsa iu përket penalltive, nuk më shkon në mendje të shkoj t’i them që të mos i ekzekutojë. Kemi futbollistë të aftë në këtë pikë, por nëse do ta bëjë këtë do ta bëjë, nëse jo është një zgjedhje e tij. Ta lëmë të bëjë atë që do në fushën e lojës’
Në fund Lionel Scaloni komentoi edhe një frazë të Lamine Yamal për gjysmëfinalen mes Spanjës dhe Francës me 18 vjeçarin që tha se janë pikërisht këto dy ekipet më të mira të Botërorit
‘Jam dakord, nuk besoj se e ka gabim-tha Scaloni-që para se të niste Botërori thoshnim se ishin mes favoriteve. Spanja meritoi të fitonte me Belgjikën. Franca ka bërë një hap para kundër Marokut. Por për fat të keq vetëm njëra prej tyre do të shkojë në finale’.
Top Channel