Studimi, skanimi i trurit ndan “jetën nga vdekja”

26/05/2016 00:00

Një teknikë standarde e skanimit të trurit po shfaq shenja premtuese duke ndihmuar mjekët të dallojnë mes pacientëve në gjendje vegjetative dhe atyre me shenja të fshehura të ndërgjegjes.

Studimi i publikuar këtë të enjte është më i fundit që investigon duke përdorur teknologjinë, për të ndihmuar në përmbushjen e sfidës për ta bërë këtë dallim, që deri më tani është bazuar kryesisht në kontrollin pranë shtratit nga doktorët.

Pacientët në gjendje vegjetative mund t’i kenë sytë e hapur, si dhe shfaqin periudha gjumësie apo dobësie, por ata janë të pandërgjegjshëm për vetveten apo të tjerët dhe e kanë të pamundur të mendojnë, përgjigjen apo të bëjnë diçka qëllimisht.

Ndërkohë, pacientët me një gjendje minimale ndërgjegjeje tregojnë disa shenja jo të vazhdueshme dhe minimale ndërgjegjshmërie ndaj vetvetes apo ndaj mjedisit përreth.

Ndarja apo dallimi mes këtyre dy gjendjeve është i rëndësishëm, sepse pacientët qoftë edhe me minimumin e ndërgjegjes mund të trajtohen duke i ndihmuar të komunikojnë dhe të parandalojnë vuajtjet. Ata përgjigjen shumë më mirë ndaj stimujve prej mjekimeve, zhurmave, prekjeve, muzikës apo aromave.

Në kërkimin e fundit të publikuar nga revista “Current Biology”, studiuesit nga Danimarka, Belgjika dhe Universiteti i “Yale” hulumtuan duke përdorur skanerat “FDG-PET” për të matur konsumin e sheqerit në gjak nga truri, të cilin qelizat e trurit e përdorin si “karburant”. Ata patën për qëllim të përcaktonin një nivel specifik të konsumit, që do të mund të bënte dallimin mes dy grupeve të sipërpërmendura të pacientëve.

Ata morën në studim 49 pacientë në gjendje vegjetative dhe 65 të tjerë në gjendje minimale ndërgjegjeje, të diagnostikuar nga procedurat standarde pranë shtratit të spitalit. Ata mundën të identifikojnë në mënyrë korrekte statusin e pacientëve në 88 për qind të rasteve.

Kur iu rikthyen statusit të pacientit një vit më vonë, ata zbuluan se 8 në 11 pacientë vegjetativë të cilët kanë pasur shenja mbi kufirin e caktuar prej tyre në skanim, sigurisht që lidheshin me ndërgjegjen minimale, faktikisht mundën të rikuperonin vetëdijen e tyre. Ndërsa 3 të tjerët kishin ndërruar jetë.

Doktor Nicholas Schiff, një profesor i Neurologjisë dhe Neuroshkencës në “Weill Cornell Medical College”, në Nju Jork, i cili nuk mori pjesë në këtë studim, e quajti këtë zbulim “tepër të rëndësishëm”.

Top Channel