A e dinit se, sot mbushen 100 vite nga prezantimi i orës verore?

27/03/2016 00:00

Kjo e dielë është një ditë “stresuese” për të gjithë dashamirësit e gjumit. E megjithatë, pakkush ka informacion mbi një ditë kaq të veçantë, që shënon zgjimin më herët gjatë periudhës prej pranverës e deri në vjeshtë.

Sot është pikërisht 100-vjetori i futjes në përdorim të Kohës Verore Britanike (BST), që nënkupton avancimin me 60 minuta të akrepave të orës. E ashtuquajtura “BST”, apo British Summer Time, është vendosur në vitin 1916 pas një fushate të ndërmarrë nga William Willett, katragjyshi i këngëtarit të famshëm të “Coldplay”, Chris Martin.

Ideja e tij fillestare është përshtatur nga Thomas Wright, i Institutit britanik i Orologjisë (BHI). E pikërisht në këtë 100-vjetor, “BHI”-ja është duke mbajtur një ekspozitë në bazën e tij në Upton Hall, në Nottinghamshire.

Ashley Strachan, kreu i administratorëve muzealë të “BHI”-së, thotë se “William Willett e konceptoi idenë e tij në vitin 1905, gjatë një shëtitjeje herët në mëngjes, kur vërejti me ankth sesa shumë londinezë e kalonin kohën në gjumë gjatë pjesës më të madhe të një dite verore.

“Si një lojtar i apasionuar pas golfit, ai urrente gjithashtu faktin e rënies së hershme të muzgut. Kështu që, zgjidhja ishte të shtynte akrepat e orës gjatë muajve të verës, një propozim që ai e bëri publik dy vite më vonë”.

Willett propozoi një ndryshim fazor të orës përgjatë 4 javëve në pranverë dhe 4 javëve në vjeshtë. Sipas tij, akrepat duheshin ndryshuar nga 20 minuta çdo javë, duke shkuar kështu në 80 minuta avancim. Ai loboi për idenë e tij deri në 1915-n, kur edhe ndërroi jetë, apo më saktë vetëm një vit përpara vënies në përdorim të ndryshimit që zbatojmë edhe në ditët e sotme.

Orologu Thomas Wright, nga “BHI”, fillimisht solli argumente kundër ndryshimit në fjalë.

“Thomas Wright e quajti një ide të çmendur, sepse ishte jopraktike dhe mund të shkaktonte kaos në komunikimin ndërkombëtar apo në trafik”, thotë Strachan.

Një tjetër orolog i shquar, Frank Hope-Jones u shpreh përmes një letre për të përditshmen e “BHI”-së, “Horogical Journal”, se “do të ishte një pabesi e çiltër për ne, pikërisht në vendin e origjinës së kohës standarde (GMT) të shkatërronim unanimitetin, që shumë kombe e kanë përqafuar deri më tani”.

Gjithsesi presioni u shtua, ndaj dhe Wright propozoi një ndryshim alternativ: atë të avancimit me 60 minuta në pranverë dhe kthimit mbrapsht me po kaq minuta në vjeshtë, gjë që zbatohet edhe në ditët e sotme.

FOTO GALERI
1/1
Vendet që e përdorin dhe ato që nuk e përdorin orën verore

Top Channel