Ka përfunduar me fitoren e “gjelave” 3-2 miqësorja e luksit në mes të Holandës dhe Francës. Sfida që u luajt në “Amsterdam Arena” shërbeu edhe për të nderuar të madhin Johan Cruyff, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
U zgjodh minuta e 14 e ndeshjes, pasi ishte numri që ai mbante në bluzë me kombëtaren, që për rreth 60 sekonda i gjithë stadiumi të ngrihet në këmbë dhe të duartrokasë për herë të fundit një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Gjithsesi, deri në atë minutë, Holanda kishte pësuar dy herë, fillimisht në minutën e 6 me futbollistin e Atelticos, Griezman, dhe në të 13-n, me sulmuesin e Arsenalit, Giroud që i dhanë një epërsi komode kombëtares së tyre.
Me fillimin e pjesës së dytë dhe me ndryshimet që bëri trajneri Blind, “tulipanët” e morën veten dhe në të 47-n shënojnë golin e parë me De Jong. Katër minuta nga fundi Afellay ishte ai që barazoi në 2-2 dhe kur u mendua se kjo sfidë do të mbyllej në barazim mesfushori i PSG-së, Matuidi, shënoi në të 88-n për 2-3.
Në miqësoret e tjera, Irlanda mposhti Zvicrën me rezultat 1-0. Mjaftoi goli i Clarck në minutën e 2 të ndeshjes për t’i dhënë një fitore skuadrës së O’Neil. Në këtë ndeshje, debutoi edhe një tjetër shqiptar, Shani Tarashaj, i cili luajti në 20 minutat e fundit.
Ndërkohë, Bullgaria bëri atë që Shqipëria e kishte bërë prej kohësh, mposhti në transfertë Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Goli i Marcelinhos mjaftoi që kombëtarja ballkanase të arrijë një fitore, ndërsa ylli i Realit humbi mundësinë më të mirë për të barazuar në minutën e 67 kur dështoi nga pika e bardhë.
Bosnja Hercegovina fitoi 3-0 në transfertë ndaj Luksemburgut. Të gjitha golat u shënuan në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht Chanot shënoi në portën e gabuar ndërsa më pas Djuric e Pjanic vulosën fitoren e boshnjakëve.
Ndërkohë, sfidat Slovaki-Letoni dhe Armeni-Bjellorusi përfunduan 0-0.
Top Channel