Afganistani “vallëzon” sërish

18/03/2016 00:00

Kur talebanët qeverisën Afganistanin në fundin e viteve 1990, ata përmes një interpretimi tepër të rreptë të fesë islame ndaluan kategorikisht muzikën, televizionin, sportet dhe kërcimin.

Situata ndryshoi me pushtimin amerikan në vitin 2001, që përmbysi regjimin e tyre mbytës e i solli vendit një frymë normaliteti për ta bërë shtëpi të një sërë stacionesh televizive, sallonesh bukurie, stadiumesh sportive si dhe sallash për dasma që më parë mungonin.

Shoqëria afgane megjithatë vazhdon të mbetet thellësisht konservatore te gratë, ende sot, kur dalin në rrugë duhet të mbulojnë kokën apo edhe të mbajnë burkën që e fsheh pamjen e tyre krejtësisht.

Megjithatë në një palestër disi të veçuar të Kabulit, gra e vajza kanë zbuluar një pasion të ri: Zumbën. Me shamitë që as aty nuk i heqin, ato mësojne me mjaft entuziazëm këtë ndërthurje kërcimi dhe aerobie, të frymëzuar nga ritmet latine.

Ethet e zumbës nuk kanë veçse dy muaj që kanë mbërritur në kryeqytetin afgan, por interesi është i jashtëzakonshëm e vazhdon të rritet dita-ditës. “Shpresoj të përhapet në të gjithë vendin -thotë një nga vajzat në palestër- dhe njëkohësisht uroj që qeveria të ofrojë siguri”.

Argëtimi është i rëndësishëm për afganët që po kalojnë vitin e 15 të luftës me elementët e regjimit të përmbysur taleban, bombat e të cilëve e trondisin Kabulin thuajse çdo javë.

Top Channel