Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nënshkroi vendimin për themelimin e komisionit “ad-hoc” në përbërje të tre ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ekspertët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe, sipas njoftimit të Presidencës. kanë nisur punën menjëherë të martën, ndërsa kanë eksperiencë shumëvjeçare.
Fletcher M. Burton nga Shtetet e Bashkuara është diplomat i lartë amerikan në pension, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ai ka qenë pjesë e ekipit që themeloi Zyrën Civile Ndërkombëtare, ndërsa më 2009 ai ka mbikqyrur përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Eksperti tjetër, Herbert Wilmes është shtetas gjerman dhe është doktor shkence i gjeodezisë nga Universiteti i Bonit, ndërsa është edhe vlerësues i hartave topografike. Nga viti 1998-2015 ai ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje të Gjermanisë, ndërsa nga korriku i vitit të kaluar është pensionuar nga shërbimi aktiv.
Ndërsa eksperti britanik Fred Newton ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës. Newton është i njohur si ekspert evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Komisioni vlerësues i ekspertëve ndërkombëtarë do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të zhvillojë vizita në terren. Opozita nuk e mbështet këtë proces. Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar ditë më parë se qeveria aktuale nuk ka mandat të rishikojë dhe të merret me demarkacionin e kufirit, ndërsa kanë kërkuar edhe shkarkimin e komisionit shtetëror që e ka bërë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Top Channel