I mbijetuari i Aushvicit, njeriu më i moshuar në botë

11/03/2016 21:55

Një i mbijetuar i kampit të përqendrimit të Aushvicit është aktualisht njeriu më i moshuar në botë, ka deklaruar organizata e Rekordeve Botërore Guinness.

Yisrael Kristal ka lindur në afërsi të Zarnovës, në Poloni, në vitin 1903 dhe ka përjetuar dy luftëra botërore, përpara se të transferohej në qytetin Haifa, në Izrael.

Ai mbushi 112 vjec dhe 178 ditë më 11 mars, thotë RBG. Rekordi i mëparshëm mbahej nga japonezi Yasutaro Koide, i cili vdiq në janar, kur kishte arritur 112 vjeç dhe 312 ditë.

Në momentin e dorëzimit të çertifikatës së rekordit, zoti Kristal tha se nuk e dinte sekretin e jetëgjatësisë dhe se besonte se “gjithçka vendoset nga lartë”.

“Ka pasur njerëz më të zgjuar, më të fuqishëm dhe më të pashëm se unë që nuk janë më gjallë. Ajo që na mbetet të bëjmë është të vazhdojmë punën dhe të rindërtojmë çfarë është humbur”, tha ai.

Djali i një mësuesi fetar, zoti Kristal u nda nga prindërit e tij gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas lëvizi në Lodz, për të punuar në biznesin familjar të veshmbathjeve.

Pas pushtimit të Polonisë nga nazistët gjermanë në vitin 1939, ai dhe familja e tij u transferuan në geton e Lodzit. Dy fëmijët e tij të parë vdiqën atje dhe Kristal me bashkëshorten Chaja Feige Furcht u dërguan në Aushvic më 1944, pasi getojë u likuidua.

Bashkëshortja u vra më pas në kampin famëkeq, por ai mbijetoi dhe punoi si skllav në punë të detyruara. Kur u gjet nga aleatët në maj të vitit 1945, ai peshonte vetëm 37 kilogramë.

I vetmi i mbijetuar nga familja e tij, ai emigroi në Izrael në 1950 me gruan e dytë dhe djalin e tyre, ku vazhdoi biznesin e familjes derisa u tërhoq.

Top Channel