Po të mos ishte për atë foton standard të të burgosurit, Jeremy Meeks, tashmë në përfundim të dënimit, do të linte institucionin e riedukimit e do t’i rikthehej jetës së vjetër në rrugë.

Dita që përfundoi prapa hekurave, megjithatë, duket se ishte dita e tij me fat. 30-vjeçari i arrestuar për armëmbajtje pa leje fitoi famë të paimagjinueshme, kur fotoja e tij përfundoi online.

Sytë bojëqielli, mollëzat e ngritura dhe nofulla e skalitur çmendën internetin, duke i sjellë nofkën “krimineli i nxehtë”, por edhe afrimin me agjencinë e talenteve “White Cross Management”.

Meeks, tani e tutje do të punojë si model. “Jemi duke i kopsitur gjërat, – tha drejtuesi i ‘White Cross Management’, Jim Jordan. – Jemi në bisedime me disa agjenci modelingu e diskutohet edhe për filma. Mundësi ka shumë”, u shpreh ai.

Vet Meeks nuk e fsheh entuziazmin nga mundësia e rrallë që po i ofrohet. “Do të jem në pozitën të kujdesem për familjen dhe ta ndryshoj jetën rrënjësisht”, tha 30-vjeçari për amerikanen “ABC News”. “Nuk më kishte shkuar kurrë mendja se, dikush mund të interesohej në këtë mënyrë për pamjen time, – shton ai. – Ndaj ndihem me fat për këtë që ndodhi e jam tmerrësisht mirënjohës”.

Top Channel