Shën Vasili, vendi ku prehen 50 ushtarë austriakë

02/03/2016 00:00

Gjatë Luftës së Parë Botërore në territorin shqiptar humbën jetën shumë ushtarë të kombësive të ndryshme. Numri i tyre arriti në 250 mijë, nga të cilët 100 mijë ishin austro-hungarez.

Edhe sot e kësaj dite në fshatin Shën Vasil të Sarandës, vendasit i kujtojnë mirë historitë e luftës dhe të rënët. Për varret e tyre në fshat, 50 të tillë, është kujdesur një njeri i veçantë.

Ai quhet Minello Rroshi i cili historinë e ushtarëve e kishte dëgjuar fillimisht nga prindërit e tij. Gjithmonë e kishte shqetësuar mendimi për të bërë diçka për këta fatkeq që lanë kockat në një vend të huaj.

Falë profesionit si mjeshtër i përpunimit të mermerit dhe gurit, vendosi privatisht që të ngrinte një memorial që të përjetësohej kjo periudhë, por dhe t’u jepte dinjitet të rënëve, ide që e bëri realitet në vitin 2000.

“Në këtë vend prehen eshtrat e disa dhjetëra ushtarëve austriakë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore”, shkruhet në përmendore. Për këtë veprim, Minello është dekoruar nga Parlamenti austriak me medaljen më të lartë (“Kryqi i zi”) si dhe është anëtarësuar si pjesë e organizatës humanitare botërore me qendër në Vjenë.

Sot Minello jeton bashkë me djalin në Norvegji, por vepra e mirë që ka bërë për ushtarët austriakë ende kujtohet në fshat dhe më gjerë.

Top Channel