Indonezi, tërmet 7,9 ballësh. Disa të vdekur, tërhiqet alarmi për cunami

02/03/2016 00:00

Një tërmet i fuqishëm dhe i cekët tronditi brigjet perëndimore të ishullit indonezian të Sumatras këtë të mërkurë, duke rikthyer makthin e tërmetit të 26 dhjetorit të 2004-s, që shkaktoi një cunam gjigant e që mori 230 mijë jetë njerëzish, teksa pati raportime fillestare për të vdekur.

Menjëherë, autoritetet vendase lëshuan paralajmërimin për cunami, në mesin e frikës se, pas lëkundjeve të fuqishme të regjistruara në det, një dallgë masive mund të godasë tokën. Edhe Australia fqinje veproi në të njëjtën mënyrë, për të mbikëqyrur pjesën perëndimore të saj, por më pas të dyja vendet anuluan gjithçka.

“Ka disa të vdekur”, tha Heronimus Guru, zëvendëskreu i operacioenve në Agjencinë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit. Ai nuk përcaktoi një numër të qartë, por tha se çdo operacion shpëtimi do të pengohet prej errësirës, që bie shumë shpejt në arkipelagun tropikal.

Deri tani nuk ka të dhëna për dëme materiale nga tërmeti i fundit, por sa më i cekët të jetë një i tillë, aq më i rrezikshëm bëhet për njerëzit dhe banesat. Fillimisht Shërbimi Gjeologjik amerikan raportoi për tërmet 8,2 ballësh, për ta ulur më tej në 8,1 dhe në fund në 7,9. Epiqendra e tij ishte 808 km në Jugperëndim të Padangut. Ai ishte 10 km i thellë.

“Deri më tani nuk ka raportime për dëme”, tha Andi Eka Sakya, një zyrtar i Agjencisë Kombëtare Meteorologjike, për një televizion vendas. “Në Bengkulu (Jugperëndim të Sumatrës) ata nuk ndien gjë”.

Presidenti Joko Widodo ka qëndruar përgjatë natës në një hotel të Medanit, në Sumatrën veriore, por gjendja e tij është e sigurtë, thanë zyrtarë të Presidencës. Një banor i Medanit tha se nuk e kishte ndierë tërmetin.

Indonezia, veçanërisht Aceh, u godit në mënyrë të tmerrshme nga cunami në oqeanin Indian në vitin 2004. Lëkundja me magnitudë 9,15 hapi një të çarë në thellësi të oqeanit, duke shkaktuar një valë masive të lartë prej 17,4 metrash që u përplas mbi brigjet dhe mbi një duzinë qytetesh, duke zhdukur një sërë komunitetesh nga harta brenda pak sekondave. Vetëm në Aceh humbën jetën 126 mijë e 741 persona.

Top Channel