“Po kërcënoni pavarësinë e prokurorit”/ Shoqata e Prokurorëve i përgjigjet Ballës për arrestimet gjatë protestave: Thirrjet për ndërhyrjen e ILD-së mund të ushtrojnë presion
Një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për pagat e gjyqtarëve në Rumani sjell në vëmendje disa çështje që lidhen edhe me debatin për pagat e magjistratëve në Shqipëri.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Strasburgut ndalet te rreziku i konfliktit të interesit kur gjyqtarët vendosin për përfitime financiare nga të cilat mund të përfitojnë edhe vetë, te kompetencat e qeverisë dhe parlamentit për politikat fiskale, si dhe te kushtet në të cilat mund të shtyhet ekzekutimi i detyrimeve financiare që rrjedhin nga vendimet gjyqësore.
Në çështjen “Puşcaşu dhe të tjerë kundër Rumanisë”, pesë gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë iu drejtuan Strasburgut, pasi shteti rumun nuk kishte ekzekutuar plotësisht vendimet gjyqësore që u njihnin përfitime financiare. Shumat që ata pretendonin se kishin ende për të marrë varionin nga 30 mijë deri në rreth 572 mijë euro për person.
GJEDNJ nis arsyetimin nga një parim i qartë: shteti nuk mund të përdorë mungesën e fondeve si justifikim për të mos zbatuar një vendim gjyqësor. Megjithatë, Gjykata e konsideroi rastin rumun të veçantë për shkak të përmasave dhe vështirësisë për të parashikuar detyrimet financiare që ishin krijuar, si dhe situatës së rënduar ekonomike dhe fiskale.
Një pjesë e rëndësishme e arsyetimit lidhet me mënyrën se si u krijuan këto detyrime. Gjykata e Strasburgut vëren se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Kasacionit në Rumani kishte ndikuar, me kalimin e viteve, në riformësimin e sistemit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa u ndryshuar formalisht ligjet për pagat.
Në këtë pikë GJEDNJ ngre çështjen e konfliktit të interesit. Sipas saj, kur gjyqtarët vendosin për elementë të pagës nga të cilët mund të përfitojnë edhe vetë, interesi i tyre personal financiar mund të ndikojë në ushtrimin e paanshëm të detyrës. Gjykata vëren gjithashtu se në raste të tilla mund të krijohet përshtypja se gjykatat po shkojnë përtej rolit të tyre tradicional të interpretimit dhe zbatimit të ligjit, duke krijuar tension mes gjyqësorit dhe pushtetit legjislativ e ekzekutiv.
Strasburgu ndalet edhe te ndarja e kompetencave. Sipas GJEDNJ-së, nuk u takon gjykatave të zëvendësojnë autoritetet përgjegjëse për politikat ekonomike dhe fiskale. Përcaktimi i prioriteteve të shpenzimeve dhe mënyra e shpërndarjes së fondeve publike u përkasin qeverisë dhe parlamentit, të cilët kanë një hapësirë të gjerë vlerësimi në këtë fushë.
Pikërisht kjo pjesë e arsyetimit mund të krahasohet me zhvillimet në Shqipëri pas 31 korrikut 2026, afati që Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit për të ndryshuar ligjin për pagat e magjistratëve. Pasi ndryshimet nuk u miratuan brenda këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën e re referuese për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe diferencat financiare që duhej të përllogariteshin nga 1 prilli 2023. Çështja kaloi më pas në një debat për fondet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve. Kuvendi ndërhyri në shtator me një ligj të ri për pagat, i cili u kundërshtua sërish në Gjykatën Kushtetuese nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në rastin rumun, GJEDNJ shqyrtoi edhe nëse shtyrja e pagesave ishte proporcionale. Gjykata mori parasysh se pagesat nuk ishin anuluar, por ishin ndarë në këste dhe shtyrë në kohë përmes akteve ligjore. Këto masa synonin uljen e presionit mbi financat publike dhe konsolidimin fiskal, ndërsa shteti vazhdonte gradualisht shlyerjen e detyrimeve.
Pesha financiare ishte e konsiderueshme. Sipas të dhënave të paraqitura nga qeveria rumune në Strasburg, pagesat e kryera ndër vite për gjyqtarët dhe prokurorët arrinin së bashku në mbi 1.6 miliardë euro. Vetëm për vitin 2026, Gjykata e Kasacionit dhe Prokuroria e Përgjithshme kishin kërkuar rreth 1.4 miliardë euro të tjera për detyrime të prapambetura dhe interesa. Në vitin 2025, kur deficiti buxhetor kishte arritur në 9.3% të PBB-së, pagesat ende të pashlyera për atë vit u shtynë për në vitin 2026.
Një tjetër element që Strasburgu mori parasysh ishte ndikimi konkret i vonesave te pesë kërkuesit. Gjykata vërejti se të ardhurat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin dukshëm mbi pagën mesatare në Rumani dhe madje mbi pagat e zyrtarëve më të lartë shtetërorë. Kërkuesit nuk konsideroheshin grup vulnerabël dhe vonesa e pagesave nuk i kishte lënë pa të ardhura të mjaftueshme për jetesë.
Për këtë arsye, GJEDNJ arriti në përfundimin se pesë gjyqtarëve dhe ish-gjyqtarëve nuk u ishte shkaktuar një barrë individuale dhe e tepruar dhe se nuk ishte cenuar thelbi i së drejtës së tyre për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Në përfundim, kërkesat u shpallën unanimisht të papranueshme si haptazi të pabazuara dhe vendimi është përfundimtar. Gjykata nuk e pa të nevojshme të shqyrtonte kundërshtimet e tjera të qeverisë rumune lidhur me juridiksionin ratione personae, statusin e viktimës apo pretendimin për abuzim me të drejtën e ankimit.
Kliko këtu për vendimin.
Top Channel