Policia franceze shkatërron “Xhunglën” e refugjatëve në Calais

01/03/2016 15:55

Ekipet policore janë rikthyer në Portin francez të Calais (Kalè) për të hequr prej andej të tjera tenda e barraka, nga ato që mbushin kampin e refugjatëve të njohur si “xhungla”.

Gjatë natës pati përleshje mes forcave të rendit dhe emigrantëve. Skudarave të shkatërrimit, këta të fundit iu drejtuan me gurë, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës. Autoritetet thonë se, të ardhurit duhet të zhvendosen në një tjetër pjesë të zonës, që praktikisht e mbajnë të pushtuar.

Por, shumë nga refugjatët druhen se një veprim i tillë do t’i detyrojë të kërkojnë azil në Francë, në një kohë kur shpresat e tyre janë që të vazhdojnë udhëtimin drejt Britanisë.

Të mbuluar nga errësira, me dhjetëra emigrantë janë përpjekur të ngjiten nëpër kamionët, që shkojnë drejt portit, por ndërhyrja e policisë i ka detyruar të kthehen mbrapsht. Banorët e këtij kampi, pjesa dërrmuese e të cilëve vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika, duan të kalojnë La Manshin, qëllim të cilin përpiqen ta arrijnë shpeshherë përmes trafikantëve të qenieve njerëzore.

Nga përllogaritjet e autoriteteve franceze, emigrantët që do të preken nga plani i dëbimit janë rreth 1.000, por agjencitë e ndihmës thonë se, numri i njerëzve që jetojnë atje është shumë herë më i lartë. Rreth 100 barraka u shkatërruan të hënën, ndërsa rreth 12 të tjerave, sipas raporteve në median vendase, u është vënë flaka.

Top Channel