Horror në Moskë, dadoja i pret kokën fëmijës dhe del në rrugë me të

29/02/2016 11:45

Një grua është arrestuar në kryeqytetin rus, Moskë, me dyshimin se është autorja e vrasjes së një fëmije, kokën e prerë të së cilës e mbante në duar, në momentin kur u ndalua nga policia.

Pas aktit makabër, gruaja, që besohet të jetë dadoja e viktimës, i ka vënë flakën apartamentit të familjes që e kishte punësuar. Pamjet filmike, të marra nga kamerat e sigurisë, tregojnë sesi kujdestarja e veshur me një “hixhab” ecën pranë një stacioni metroje, ndërsa ekspozon kokën e të miturës e thërret “Allahu Akhbar!”.

Një oficer policie e sheh dhe hidhet mbi të, duke e rrëzuar në tokë. E dyshuara po kontrollet për çrregullime psikike, me qëllimin të përcaktohet qartë nëse është e aftë të kuptojë veprimet e veta, thuhet në një deklaratë të Komitetit Hetimor të Moskës.

Një hetim penal është çelur menjëherë mbi ngjarjen e rëndë, ndërsa është gjetur sakaq trupi i vajzës së identifikuar si Nastya M., e moshës 3 apo 4 vjeç, që ka shenjat e një vdekjeje të dhunshme.

Nga të dhënat fillestare rezulton se, dadoja 38-vjeçare e së miturës, Gyulchehra Bobokulova, është nga Uzbekistani. Sipas gjasave, ajo ka pritur që prindërit e viktimës dhe fëmija i tyre i madh të largoheshin nga banesa, që të ndërmerrte pas kësaj veprimin ekstrem, t’i vinte zjarrin apartamentit dhe të largohej nga vendngjarja.

Top Channel