Një shpërthim i fuqishëm tronditi lagjen historike “Sulltanahmet” të Stambollit, një prej zonave më të preferuara nga turistët në qytetin më të madh të Turqisë.
Raportet e para flasin për të paktën 10 të vdekur e 15 të plagosur. Informacionet nga vendngjarja janë kaotike, e shkaku apo rrethanat e shpërthimit ende nuk janë sqaruar, megjithatë ka të dhëna se sulmi mund të ketë qenë vepër e një atentatori vetëvrasës.
Autoambulancat kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, ndërsa policia ka bllokuar të gjithë zonën. Sipas agjencisë së lajmeve “DPA”, forcat e rendit po hetojnë me një intensitet të shtuar. Në veçanti, të rëndësishme janë informacionet për personat e përfshirë dhe llojin e eksplozivit të përdorur, çfarë mund të hedhë më shumë dritë mbi sfondin e sulmeve.
Në pamjet e transmetuara nga televizionet lokale shihen policë e punonjës të ndihmës së shpejtë, që përpiqen të asistojnë viktimat e sulmit. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe është dëgjuar disa kilometra larg.
Në lagjen “Sulltanahmet” gjenden një sërë godinash shumë tërheqëse për turistët, siç është “Xhamia Blu”, një prej objekteve kryesore në listën e atraksioneve më të mëdha turistike të vendit.
Ka pasur një sërë sulmesh sporadike në Stamboll këto muajt e fundit, të atribuuara një grupi të ekstremit të majtë, ndërsa dhuna mes forcave turke dhe militantëve kurdë të PKK-së është përshkallëzuar ndjeshëm pas shembjes së armëpushimit.
Turqia, nga ana tjetër, ka rënë prè e një serie sulmesh me bomba, për të cilat fajësohet Shteti Islamik. Dy sulme kamikaze në kryeqtetin Ankara morën më shumë se 100 jetë njerëzish në muajin tetor, ndërsa në korrik mbi 30 vetë u vranë nga një shpërthim në qytetin kufitar të Suruçit.
Top Channel