Siri, ndihma drejt qytetit ku njerëzit hanë kafshë shtëpiake dhe bar

11/01/2016 13:30

Për banorët e qytetit të rrethuar sirian të Madayas, mekanizmi i ndihmës më në fund është vënë në lëvizje. Një autokolonë mjetesh të OKB-së, të mbushura me ushqime, ka mbërritur në zonën ku njerëzit thuhet të jenë duke vdekur nga uria.

Zyrtarët e OKB-së bëjnë të ditur se, në autokolonë ndodhet ushqim i mjaftueshëm për një muaj, që do t’u shpërndahet rreth 400 mijë sirianëve. Në kamionë ka veshëmbathje, si dhe ilaçe për personat që janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pesë persona kanë vdekur nga uria vetëm ditën e diel. Për të mos mjaftuar vdekjet e shumta nga lufta, apo eksodi i madh i refugjatëve, në zona të caktuara të Sirisë njerëzit përballen çdo ditë me luftën për mbijetesë, pasi nuk kanë ushqime.

Ka ende rreth 40 mijë vetë në Madayan e ndodhur pranë kufirit me Libanin. Banorët, sipas disa raporteve në shtypin botëror, po hanë deri dhe kafshë shtëpiake e bar për të mbijetuar. “Gjendja në qytetin e mbajtur nën darën e forcave qeveritare është e llahtarshme”, i tha BBC-së Brice de la Vigne, i organizatës humanitare ‘Mjekët pa kufij’.

Nga kontaktet me mjekët brenda Madayas, grupi ka marrë informacion për të paktën 250 persona, që vuajnë nga kequshqyerja akute, 10 nga të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, në të kundërt do të vdesin.

Programi botëror i ushqimit kishte shpresuar më herët të dërgonte një ngarkesë të parë ushqimesh dhe ilaçesh në Madaya. Arsyeja e vonesës në nisjen e kësaj ngarkese nuk dihet ende, por korrespondentët kujtojnë se qasja e negociuar në raste rrethimi nuk ka qenë kurrë një çështje e lehtë: arritja e marrëveshjes duhej të përfshinte sa politikanë të lartë në të dy anët e konfliktit, ashtu dhe individë që luftojnë në terren.

Operacione ndihme janë parashikuar edhe për dy fshatra të kontrolluara e të rrethuara nga rebelët në veri të vendit, Kefraya dhe Foah. Bllokadat janë kthyer tashmë në tipar dallues të luftës civile në Siri, megjithatë, Madaya tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen ndërkombëtare për shkak të pamjeve në internet, që tregonin shkallën e tmerrshme të kequshqyerjes së banorëve të saj.

4,5 milionë sirianë llogariten në zonat e thella të vendit, ku transporti është mjaft i vështirë, përfshirë 400 mijë njerëzit që jetojnë në 15 zona të rrethuara, ku ndihma që do të shpëtonte jetë nuk ka asnjë lloj qasjeje. Madaya është nën rrethim që nga fillimi i korrikut, kur u mësy nga forcat e Damaskut dhe aleatët e tyre në Liban, militantët e lëvizjes islamike shiite “Hezbollah”.

Top Channel