OKB dënon sulmin ndaj ambasadës saudite në Teheran

05/01/2016 10:40

Kombet e Bashkuara e dënuan sulmin ndaj ambasadës saudite në Teheran, por pa përmendur për asnjë moment në deklaratën e tyre arsyen që nxiti protestën e dhunshme: ekzekutimin e klerikut të njohur shiit Nimr al-Nimr.

Këshilli i Sigurimit i është përgjigjur një letre të sauditëve, duke e cilësuar akt të dënueshëm mësymjen e misionit diplomatik në kryeqytetin iranian si dhe atë të një konsullate saudite në qytetin e Mashhadit.

Organi më i lartë i OKB-së i bëri thirrje autoriteteve iraniane të mbrojnë pronat dhe personelin diplomatik e konsullor e të respektojnë detyrimet ndërkombëtare në këtë drejtim. Të dy palët nxiten të ndjekin rrugën e dialogut e të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve në rajon.

Megjithatë, në deklaratë nuk ka asnjë fjalë për ekzekutimin e Al-Nimrit dhe 46 personave të tjerë të dënuar për terrorizëm. Zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus u përpoq të hënën të ulte gjakrat, duke i kujtuar të dy vendeve se Lindja e Mesme edhe kështu është “një fuçi baruti”.

Ambasadori saudit në OKB, Abdallah al-Mouallimi u shpreh se sherri mund të zgjidhet vetëm nëse Irani vendos të mos i fusë më hundët në punët e shteteve të tjera. Kjo në fakt nuk është hera e parë që Rijadi e akuzon Teheranin për ndërhyrje në çështjet arabe. Arabia Saudite dhe Irani janë përkatësisht dy fuqitë më të mëdha sunite dhe shiite në rajon e aktualisht janë të rreshtuara në kahe të kundërta të konflikteve në Siri e Jemen.

Ndarja e madhe sunito-shiite erdhi shumë shpejt pas vdekjes së profetit Muhamed në vitin 632, për shkak të mosmarrëveshjeve se kush prej tyre duhet të drejtonte komunitetin musliman. Edhe pse këto dy degë të Islamit bashkekzistojnë prej shekujsh e kanë shumë praktika të përbashkëta, dallimet mes tyre janë jo të vogla sa i takon doktrinës, ritualeve, ligjit, teologjisë dhe organizimit fetar.

Top Channel