Programacion i pasur për festat

30/12/2015 00:00

Programacioni i Top Channel është përshtatur për festën e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të Vitit të Ri, me prodhime zbavitëse për të gjithë familjen.

Duke nisur nga data 31 dhjetor…

“Festa e Vitit të Ri për Top Channel fillon që në mëngjes me ‘Wake Up’-in, i cili do të jetë i formatuar në një mënyrë krejt ndryshe. Nuk do të jetë në studio, por do të zhvillohet jashtë, në mes të spektatorëve, dhe gjithçka do të ndodhë në sheshin ‘Skënderbej’. Më tej do të vijohet me ‘Në shtëpinë tonë’, me një emision të veçantë për Vitin e Ri, sikurse edhe ‘Select’-i dhe ‘Pasdite në Top Channel’, ku kjo e fundit është konceptuar si një cikël i 4 moshave. Për të vijuar më tej me ‘Fiks Fare’, që do të jetë për dy net, mbrëmjet e së enjtes dhe së premtes, sërish i orientuar për Vitin e Ri”, u shpreh Vjollca Dedei, drejtoreshë e Programacionit.

Shfaqja që do të transmetohet natën e ndërrimit të viteve është “Friend request”.

“Humor e satirë, gjithçka me trupën e komedisë së Top Channel, për gjithë atë luftë që bëjnë për të gjetur atë kod, që ne të hyjmë në Europën e bashkuar. Gjithashtu është finalja e madhe e ‘Masterchef’-it, që përveç shfaqjes së guzhinës, është i konceptuar më gjerë dhe më ndryshe. Për të vazhduar më pas të shtunën me shfaqjen e madhe ‘Në një javë’, që do të ketë numrat më të çuditshëm për t’u performuar nga personazhet VIP, por jo vetëm kaq”, thotë më tej Vjollca Dedei.

Më 3 janar, ‘E diell’ do të vijë në një version ndryshe.

“Do të vijë në një formë tërësisht muzikore, në një shfaqje krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera. Surpriza që do të shërbehen në radhë të parë nga moderatorët, të ftuarit të vendosur ndryshe. Do të ketë ‘musical’ të njohur dhe që u kanë rezistuar të gjitha kohërave, për shumë e shumë epoka me radhë. Por do të takohen edhe personazhe si Richard Gere, Nicole Kidman, apo të tjerë aktorë të famshëm, si te moderatorët tanë edhe te të ftuarit tanë. Në njëfarë mënyre e fillojmë Vitin e Ri ndryshe, me më shumë ngjyra e shfaqje, muzikë e mesazhe, e nga ana tjetër paraprijmë edhe një fillim të ri dhe sezon të ri”, thotë Belioza Çoku, autore e emisionit “E diell”.

“Do të vazhdojmë sërish të japim ‘Different Trains’, specialen ‘Kinemaja dhe yjet 2015’ dhe ditën e diel, në orën 20:10 një dokumentar i jashtëzakonshëm, bashkëprodhim i Top Channel me kompaninë gjermane Lux, e specializuar në prodhimin e dokumentarëve. Një ndër kompanitë më të suksesshme të këtij zhanri. Dokumentar që fokusohet në botën e egër shtazore të Shqipërisë, me filmime të jashtëzakonshme”, shton Vjollca Dedei.

Sa u përket filmave…

“Kemi përzgjedhur kryesisht filma komedi, romancë dhe filma familjarë dhe e mbyllim me një film hit, që titullohet ‘Shërbyeset’, ditën e diel. Film fitues i çmimit Oscar, një ndër 250 filmat e ‘Box Office’, dhe 75 çmimeve të tjera. Më tej filmi serial vizatimor ‘Breshkat adoleshente ninxha’, teksa do të jenë edhe dy filma artistikë vizatimorë, ‘Kung Fu Panda 2’ dhe ‘Përgjithmonë Shrek’”, tha drejtoresha e Programacionit, Vjollca Dedei.

Top Channel