Portreti i vërtetë i Krishtit?

24/12/2015 00:00

Gjatë sezonit të fundvitit imazhi i Krishtit gjendet më shpesh dhe kudo. Por, një grup shkencëtarësh britanikë të mjekësisë ligjore, thonë se perceptimi që kemi krijuar për pamjen e tij është krejtësisht i gabuar.

Mijëra piktura apo ikona ndër vite e shfaqin Krishtin të imët, me fytyrë të hollë dhe të stërzgjatur, si edhe me flokë kafe. Ky është imazhi që prej shekujsh shoqëron botën e krishterimit dhe besimtarët e tij.

Por, eksperti britanik mjekoligjor, Richard Neave, duke përdorur  antropologjinë për të kryer studimin, e ka rrëzuar këtë portret. Ai përdori të dhënat kulturore dhe arkeologjike dhe nëpërmjet teknikave 3-dimensionale, Neave ka arritur në përfundimin se Jezusi ka pasur lëkurë më të errët, fytyrë më ovale,  flokë të shkurtër e pak të përdredhur si edhe mjekër të dendur.

Gjatësia e tij varion aq sa shtatlartësia mesatare e asaj kohe 1.72 cm dhe peshonte rreth 70 kg. Sipas tyre këto tipare kanë qenë të zakonshme në Lindjen e Mesme dhe hebrenjve në zonën e Galilesë, që tani njihet si Izraeli verior.

Njerëzimi deri tani e ka njohur Krishtin nëpërmjet penelave të artistëve si Leonardo da Vinçi, i cili ka jetuar qindra vjet pas Krishtit, dhe logjikisht nuk kishte një pasqyrë të vërtetë për pamjen e tij. E ndërsa tani të dhënat e reja hapin një kapitull tjetër në shëmbëlltyrën e Krishtit.

Për shumë ekspertë dhe njohës të antropologjisë, përshkrimi i doktor Neave  më shumë gjasë është më i saktë sesa pikturat e mjeshtërve të mëdhenj.

Top Channel