Rusi padit krijuesit e video-lojës pasi humbi punën dhe gruan

22/12/2015 19:35

Video-loja e shumëpritur “Fallout 4” doli në treg vetëm pak javë më parë, por një burrë rus thotë se për faj të kësaj loje ka humbur bashkëshorten dhe punën e tij në një kohë shumë të shkurtër.

28-vjeçari nga Krasnojarsku do të padisë Bethesda, krijuesin e lojës, duke thënë se nuk ishte paralajmëruar që loja mund të krijonte kaq shumë varësi.

I fiksuari pas video-lojës shpreson që të fitojë 500 000 rubla (rreth 6000 euro) nga kompania.

“Nëse do e dija që kjo lojë mund të krijonte kaq shumë varësi, do të isha shumë më i kujdesshëm. Nuk do e blija ose do e blija kur të isha me pushime”, lexohet në një komunikatë të rusit.

Ai nisi ta luante çdo ditë lojën dhe pasi mungoi disa ditë në punë, u pushua. 28-vjeçari nuk flinte më dhe harronte madje edhe të hante. Pas disa kohësh, edhe gruaja u mërzit me këtë situatë dhe e la.

Top Channel